17:08 / E Premte, 13 Tetor 2017 / indeksADMonline

Thaçi e Haradinaj dënojnë sulmin ndaj Vehbi Kajktazit

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Ramush Haradinaj kanë dënuar sulmin fizik ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi që ndodhi sot në Prishtinë.

“Si shoqëri s’duhet të lejojmë që dhuna të bëhet mjet i shprehjes së pakënaqësisë sonë apo i zgjidhjes së problemeve që mund t’i kemi. Është krejtësisht i papranueshëm dhe i dënueshëm përdorimi i dhunës ndaj gazetarëve”, ka shkruar  Thaçi në Facebook, transmeton AktivPress.

“Puna e tyre, liria e medias, liria e shprehjes, janë vlera demokratike mbi të cilat ne po e ndërtojmë shoqërinë tonë”, ka shtuar i pari i shtetit.

Ndërkaq kryeministri Haradinaj ka thënë se sulmi ndaj gazetarit është i papranueshëm.

“Si Qeveri jemi zotuar për një bashkëpunim me medie, për të qenë transparent, dhe për t’i dhënë mundësi fjalës së lirë, mendimit të lirë, pikëpamjet e secilit për të ardhur në shprehje”, ka thënë kryeministri.

Gazetari Vehbi Kajtazi, është sulmuar sot fizikisht në qendër të Prishtinës rreth orës 14:30 në një nga lokalet në kryeqytet. Policia ka arrestuar Faton Ramadanin, si të dyshuar për sulmin./AktivPress