09:59 / E Enjte, 04 Tetor 2018 / indeksADMonline

Thaçi fton ndërkombëtarët që të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në Interpol

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ftuar përfaqësuesit e rajonit që të identifikojnë sfidat rajonale të korrupsionit, por gjithashtu edhe hapat konkret për ta luftuar këtë dukuri.

Kjo kërkesë e tij erdhi  gjatë Konferencës Rajonale Kundër-Korrupsionit e cila po mbahet në Kosovë.

Sipas tij, Kosova ka punuar mjaft shumë në luftë kundër krimi të organizuar dhe korrupsionit, megjithëse se thekson se ka ende punë për t’u bërë.

“Kosova ka nxjerr akte të shumta ligjore që sanksionojnë korrupsionin. Në mënyrë graduale është rritur numri i gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Si nevojë e kohës legjislacioni i fushës kundër korrupsionit po forcohet me qëllim të sundimit të ligjit. Kosova në mënyrë të vazhdueshme ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit.

Gjithmonë ekziston mundësia të bëhet edhe më shumë. Ne e dimë se lufta kundër krimit dhe korrupsionit nuk është e lehtë dhe nuk është e shkurtër, sfidat duhet t’i kalojmë me përkushtim duke shkëmbyer përvojat rajonale.

Nga diskutimi në konferencën e sotme pres që të identifikoni sfidat rajonale të korrupsionit por edhe hapat konkret për ta luftuar këtë dukuri.

Mirëpres rekomandime që do të dalin nga puna e juaj në këtë konferencë.

Më lejoni t’ju drejtohem të gjithë përfaqësuesve sidomos ndërkombëtarëve që Kosova të anëtarësohet në Interpol në mënyrë që të krijohen kushtet e barabarta dhe të përshtatshme që edhe Kosova të ketë një rol të barabartë dhe përkushtim. Anëtarësimi në Interpol do të jetë fitimprurës për Kosovë dhe për rajonin. Pres një mbështetje prej të gjithëve aktive, nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë.

Ftojë të gjithë të jenë të përgjegjshëm në krye të institucioneve që t’u japin hapësirë sistemit të drejtësisë për profesionalizëm dhe t’i ikin çdo ndikimin politik”, ka thënë Thaçi./Indeksonline/