11:03 / E Diele, 22 Korrik 2018

Thaçi, Haradinaj e Pacolli në konsulta për mandatet e ambasadorëve

Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli janë në konsultime rreth mandatit të diplomatëve kosovarë jashtë vendit.

Në një përgjigje për Indeksonline, Sami Kastrati, Drejtori për komunikim me publikun brenda MPJ-së ka bërë të ditur se shumë shpejtë do të kthehet edhe një numër i ambasadorëve.

Sipas tij, ambasadorët e kthyer deri më tani, janë sistemuar në MPJ.

“Rotacioni i diplomatëve është një proces i vazhdueshëm dhe i natyrshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Deri më tash është kthyer një numër i Ambasadorëve dhe diplomatëve, të cilët e kanë përfunduar mandatin e tyre dhe ata tashmë janë sistemuar brenda MPJ-së. Një grup tjetër do të kthehet së shpejti. Në ndërkohë, konsultimet në lidhje me emërimet e reja, respektivisht plotësimet e pozitave vakante është duke ndodhur në mes Ministrit të Punëve të Jashtme, Presidentit dhe Kryeministrit”, ka thënë Kastrati.

Ndryshe, në fillim të këtij viti, ishte Pacolli ai që pati deklaruar se ambasadorëve që iu përfundon mandati, nuk do t`iu vazhdohet më. Ata do të kthehen në Kosovë dhe do të zëvendësohen me të tjerë.

Para pak muajsh, nga detyra e tyre pas përfundimit të mandatit janë liruar një grup i ambasadorëve që shërbenin në Turqi, Serbi, Shkup, Slloveni, Francë, Mbretërinë e Bashkuar, Mbretërinë e Arabisë Saudite./Indeksonline/