13:04 / E Enjte, 30 Janar 2020 / indeksADMonline

Thaçi, ia përsërit Borellit kërkesën për liberalizim të vizave

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi është deklaruar para mediave për takimin e tij me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borell.

Thaçi tha se Bashkimi Evropian padrejtësisht po vazhdon ta mbajë Kosovë pa liberalizim të vizave, duke shtuar se beson në politikën e Borellit dhe angazhimin e tij për Kosovën dhe rajonin në përgjithësi.

“Vetë vizita e parë që Borelli po e zhvillon në Kosovë për të vazhduar më tej në rajon e Ballkanin Perëndimor, tregon rritjen e vëmendjes së BE-së drejt Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi. Në një moment vendimtar për të ardhmen e vendit tonë, integrimet euroatlantike për zhvillimin ekonomik, anëtarësimin në NATO e BE, Kosova është duke u zhvilluar fuqishëm në drejtim të të gjitha reformave, qoftë edhe në ekonomi, politik e legjislacion. Por edhe në kryerjen e obligimeve që ka për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Ky besim do të avancohet në bazë të meritave, me Borellin e konfirmova në veçanti çështjen e liberalizimit të vizave. Kosova është padrejtësisht e anashkaluar, pasi Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret që nevojiten për liberalizim të vizave. Andaj vlerësoj edhe njëherë edhe sot zhgënjimin e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës sa i përket vizave”, tha Thaçi, shkruan Indeksonline.

Ai shtoi se nuk pati standarde të njëjta sa i përket Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit, në cështjen e liberalizimit të vizave.

“Disa prej këtyre vendeve kanë probleme të  sundimit të ligjit, të të drejtave të njeriut, të funksionimit jo të drejtë të mediave e jo si Kosova, që është shembull i demokracisë në rajon.E kam thënë edhe më parë , por edhe sot BE ka  bërë gabim strategjik sa i përket liberalizimit të vizave dhe ky diskriminim për Kosovën është i padrejtë sepse po e pengon të ardhmen evropiane.Duhet të besojë se me energjinë, potencialin dhe kurajon që Borelli i jep politikës së jashtëm të BE-së kjo qasje do të ndryshojë urgjentisht do të doja që të shoh një BE unike për Kosovën e gjithashtu diskutuam dhe për mundësin e arritjes së marrëveshjes finale në mes Kosovës dhe Serbisë, Borelli ka përvojën e tij si njeri i politikës të cilën e vlerësoj lart dhe kam besim që bashkë me ekipin e tij në koordinim me shtetet anëtare të BE-së do të punojë fuqishëm në garantimin e një procesi transparent, të një dialogu që do të sjellë rezultate për dy vendet dhe popujt tanë, që sjell paqe, stabilitet dhe të ardhme evropiane të sigurisë”, shtoi Thaçi.

Presidenti i vendit deklaroi se Borelli duhet të jetë i mbështetur unanimisht nga të gjitha vendet e BE-së, në mënyrë që të mos ndodhë si në të kaluarën.

“Pra çelësi i arritjes së marrëveshjes është integriteti evropiane dhe koordinimi i ngushtë në mes BE-së dhe ShBA-së, natyrisht çelësi i suksesit është marrëveshja e drejtë, që nënkupton njohje reciproke  dhe organizimi i Kosovës në organizatat e Kombeve të Bashkuara. Nuk është proces i lehtë, por mendoj se është i arritshëm, pres nga Brukseli dhe rajoni përpjekje të shtuar që të përmbyllet me sukses”, tha Thaçi./Indeksonline/