09:43 / E Enjte, 09 Maj 2019 / indeksADMonline

Thaçi: Kosovarët janë më evropianë se shumë popuj që janë pjesë e familjes evropiane

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se Dita e Evropës është datë kur u bë hapi i parë drejt krijimit të Bashkimit Evropian.

Tutje Thaçi tha se në këtë ditë të veçantë për BE-në bëjmë thirrje për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës si dhe për qartësimin e perspektivës evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor, transmeton Indeksonline.

Thaçi gjithashtu shtoi se kosovarët janë më evropianë se shumë popuj që janë pjesë e familjes evropiane.

Postimi i plotë:

Dita e Evropës, 9 maji, është datë kur u bë hapi i parë drejt krijimit të Bashkimit Evropian. Një thirrje për bashkimin e prodhimeve nga kryediplomati francez më 9 maj 1950, kishte bërë që të niste projekti i madh i krijimit të familjes evropiane, e cila u zhvillua nëpër vite. Në këtë ditë të veçantë për Bashkimin Evropian, ne bëjmë thirrje për liberalizimin e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës dhe për qartësimin e perspektives evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kosovarët janë më evropianë se shumë popuj që janë pjesë e familjes evropiane. Kemi përmbushur kritere që tejkalojnë edhe standardet e shumë prej shteteve anëtare të BE-së, por ende po vazhdon diskriminimi i qytetarëve tanë. Ky diskriminim dhe ky trajtim i pabarabartë po komprometon edhe vetë vlerat e Bashkimit Evropian, mbi të cilat e ka ndërtuar bashkëpunimin me vendet jo anëtare në rajonin tonë. Bashkimi Evropian duhet t’i japë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës! HTH