Thaçi: Krenarë që Kosova ka dhënë një burrështetas si Bajram Rexhepi
Presidenti Hashim Thaçi ka kujtuar ish-kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepin, duke e vlerësuar lartë veprën dhe jetën e tij.
Këtë e ka bërë përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”, ku nuk ka kursyer fjalët më të mira për të ndjerin.
“Dje u bë një vit nga vdekja e ish kryeministrit të Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi, që prapa vete la një trashëgimi të pasur si humanist, doktor i luftës, lider politik, kryeministër dhe bartës i funksioneve të tjera të larta shtetërore”, ka shkruar Thaçi.
Thaçi madje ka kujtuar punën e Bajramit Rexhepit në UÇK dhe në kohën e rindërtimit të Kosovës.
“Ish kryeministri Bajram Rexhepi do të mbahet mend për kulturën e lartë demokratike, shpirtin tolerant, frymën fisnike dhe modestinë njerëzore, si vlera që i reflektoi dhe i shpërndau me të tjerët, qoftë para luftës, gjatë viteve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe në kohën e rindërtimit të Kosovës. Jemi krenarë që Kosova ka dhënë një profil politikani dhe burrështetasi si Bajram Rexhepi”, ka shkruar Presidenti Thaçi.
Ndryshe, sot janë bërë një vit që nga koha kur u nda nga jeta ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi./Indeksonline/