17:02 / E Hënë, 03 Gusht 2020 / indeksADMonline

Thaçi kujton Aze Brahimajn, e quan nënë të UÇK-së

Presidenti Thaçi me rastin e 22 vjetorit të vrasjes, e ka kujtuar Aze Brahimajn, të cilën e ka quajtur nënë të UÇK-së.

Presidenti ka thënë se nënëlokja Aze njëzetekatër orë gatuante për luftëtarët e lirisë.

Ky është statusi i plotë i presidentit Thaçi:

Njerëztëpaharrueshëm ??

U bënë 22 vjet nga vrasja e nënëlokes së madhe Aze Brahimaj, nënës së Ushtrisë Çlirimtare, e cila priti dhe përcolli me bujari dhe besnikëri shumë e shumë luftëtarë lirie.

Shtëpia e Brahimajve ishte një ndër bazat më të hershme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Luftëtarë, veprimtarë dhe vullnetarë të të gjitha trevave të Kosovës qëndruan në këtë familje, qoftë në rrugën e nisjes ose të kthimit, gjatë përpjekjeve për forcimin dhe organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nënëlokja Aze njëzetekatër orë gatuante për luftëtarët e lirisë. Ata shkonin të rraskapitur, çlodheshin, ushqeheshin dhe më pas vazhdonin rrugën drejt fronteve të luftës. Gjithmonë në duar të sigurta.

E kujtoi rastin kur së bashku me Kadriun, Luanin dhe Shkëlzenin qëndruam në një acar dimri aty. Po ashtu, në familjen Ibrahimaj qëndruan shumë herë edhe Fehmiu e Xheva.

Forcat serbe nuk u mjaftuan me shuarjen e jetës së nënëlokes Aze. Ata e masakruan pas vrasjes, në shenjë hakmarrjeje ndaj kësaj familjeje, e cila gjithmonë ishte derëhapur dhe e angazhuar me të gjithë anëtarët e familjes në lëvizjen kombëtare.

Më rastin e 22 vjetorit të vrasjes, nënëloken Aze e dekorova me urdhrin “Heroinë e Kosovës”, për kontributin e madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Lavdi emrit dhe veprës së heroinës Aze Brahimaj. HTH