09:16 / E Enjte, 11 Qershor 2020 / indeksADMonline

Thaçi: Pa luftën e UÇK-së e sakrificën e qytetarëve nuk do të lëvizte bota, Kosova e bekuar që ka ShBA-të, BE-në e NATO-n

Sot u bën 21 vite nga tërheqja e forcave kriminale ushtarake e paramilitare serbe nga Kosova, duke shënuar kështu fundin e pushtimit serb.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi tha se këto ditë shënohen ditët e lirisë së Kosovës, 21 vjetori i liris së vendit të çlirimit të Kosovës.

“Sot me nderime tek heroi i popullit e kombit Zahir Pajaziti prej komandantëve të parë të Kosovës dhe përmes këtij nderimi shtetëror dërgojmë mesazhin e respektit shtetëror për heronjtë, invaliditët, familjet e dëshmorëve, nderojmë sakrificën e të gjithë qytetarëve që në një formë apo tjetër edhe me pushkë në dorë apo me rezistencë kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Pa luftën e UÇK-së, pa sakrificën e qytetarëve nuk do të lëvizte as bota”, tha Thaçi, shkruan Indeksonline.

Presidenti shtoi se Kosova është e bekuar me ShBA-të, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

“Rezistenca jonë e drejtë , sakrifica dhe beteja e kauza bëri që të kemi krahë nesh Amerikën, BE-në dhe NATO-n. Ishte sukses i përbashkët, Kosova është e bekuar që kishte në krah SHBA-të BE dhe NATO e mbi të gjitha sepse kishte një unitet të pakthyeshëm të rezistencës së qytetarëve dhe gjithë kombit shqiptarë. Nderime për të rënët dhe lirinë e nderojmë të gjithë ata që nderuan dhe sakrifikuan për lirinë e vendit. Na mbetet të punojmë për etapën e tretë, pas lirisë dhe pavarësisë atë të integrimit të Kosovës në NATO e BE dhe kultivimin e raporteve speciale me ShBA-të. Kosova ka të ardhme të sigurtë dhe askush nuk mund ta ndalojë apo frenojë, pavarësisht pengesave që mund të paraqiten në rrugëtimin zhvillimor apo atlantik”, shtoi ai./Indeksonline/