13:01 / E Martë, 30 Prill 2019 / indeksADMonline

Thaçi për takimin e Berlinit: Taksa është legjitime, zhgënjyese çështja e liberalizimit

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi është deklaruar për takimin e mbrëmshëm të liderëve të Ballkanit në Samitin e Berlinit.

Në një prononcim për Indeksonline nga Berlini, Thaçi ka deklaruar se ishte një takim i mirë dhe shumë transparent, por që nuk është arritur ajo çfarë është pritur.

“Mendoj se ka qenë një takim shumë transparent i pjesëmarrjes së gjithë liderëve të rajonit nën organizmin e kancelares Angela Merkel dhe presidenti Macron, ku mori pjesë edhe zonja Mogherini.Besoj se angazhimi i dy liderëve të Evropës është një sinjal pozitiv, takimi nuk e ka arritur atë që është pritur, ka qenë i fjalimeve të prezantuara .Ajo që mund të them është se ne kemi theksuar qartë se Serbia duhet ta njehë Kosovën që dialogu duhet të vazhdojë pa kushte sinjali i vetëm pozitiv është se takimet vazhdojnë në Paris ku pres që do të ketë ide kreative dhe substancë për mundësi të arritjes së marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Thaçi.

Tutje presidenti Thaçi tha se ishte zhgënjyese shpërfillja e së drejtës së qytetarëve të Kosovës nga takimi  për liberalizimin e vizave.

“Në të njëjtën kohë ishte zhgënjyese shpërfillja e së drejtës së kosovarëve nga takimi për liberalizimin e vizave, por na mbetet të punojmë me shtetet veç e veç që të lëvizin gjërat përpara. Ishte qëndrim identik edhe i Francës edhe i Gjermanisë. Pres që do të ketë një përgatitje më të mirë në takimin e Parisit por pres që ShBA-të gjithashtu të marrin rolin që u takon sepse nuk mund të ketë dialog, negociata apo marrëveshje historike pa rolin udhëheqës të ShBA-së. Ne dje kemi zhvilluar një takim rreth dy orë edhe me ambasadorin amerikan në Gjermani për të diskutuar se si të lëvizim përpara. Është me rëndësi që ShBA-të janë të gatshme të krijojnë kushte më të mira dhe të organizojnë takime të tilla, të nivele të tilla edhe në Amerikë. Ritheksojë edhe letrën e presidentit Donald Trump, substanca e asaj letre është udhërrëfyese për arritjen e marrëveshjes me Serbinë. Të tjerët duan të organizojnë takime por nuk kanë ide”, tha Thaçi për Indeksonline.

Tutje i njëjti tregoi nëse pati kërkesë konkrete nga vendet e huaja për largimin e taksës, duke thënë se taksa është legjitime dhe se nuk do të hiqet.

“Taksa është legjitime dhe vendim i Kosovës. Nuk hiqet dhe dialogu duhet të jetë i pakushtëzuar.Në takim me ambasadorin amerikan u diskutua për tema të përgjithshme, por para se gjithashtu për dialogun Kosovë-Serbi. Edhe përvojat e kaluara na kanë treguar se kurrë nuk ka pasur paqe pa Amerikën, qoftë në Bosnje, qoftë në Kosovë apo në Maqedoni, sepse të gjitha marrëveshjet janë udhëhequr dhe realizuar nga ShBA-të. Ne kemi përfaqësuar dje shtetin e Kosovës me qëndrime të qarta, si një vend i pavarur dhe sovran”, përfundoi Thaçi./Indeksonline/