10:42 / E Martë, 19 Mars 2019 / indeksADMonline

Thaçi: Të bashkohemi ashtu siç bëmë 20 vjet më parë

Finalizimi i Konferencës së Rambujesë në Paris, 20 vjet më parë, ishte fitorja e parë diplomatike e Kosovës, e cila i hapi rrugë intervenimit ushtarak të NATO-s për të parandaluar spastrimin etnik në Kosovë.

Kështu ka shkruar presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në një postim në Facebook, ku ka kujtuar 20 vjetorin e finalizimit të konferencës së  Rambujesë.

“Kjo marrëveshje finalizoi procesin e çlirimit të Kosovës, i nisur nga sakrifica dhe lufta jonë. Ajo u shndërrua në testament për shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, shkruan Thaçi.

Presidenti duke marrë shembull unifikimin e spektrit politik në Rambuje, ka bërë thirrje për të ndjekur të njëjtin shembull për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe organizata ndërkombëtare.

“Bashkimi i spektrit politik në atë kohë dhe besimi i palëkundur te Shtetet e Bashkuara të Amerikës e bëri të mundur arritjen e kësaj marrëveshjeje pas negociatave të vështira dhe rraskapitëse. Sot, si 20 vjet më parë, duhet të bashkohemi të gjithë për të jetësuar ëndrrën e radhës – anëtarësimin e Kosovës në BE, NATO dhe OKB”, thekson presidenti.