12:37 / E Diele, 17 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Thaçi: Ushtarët e FSK-së janë krenaria jonë, dëshmia e suksesit të shtetit!

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka uruar të gjithë qytetarët me rastin e 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Ju ushtarë të FSK-së jeni krenaria jonë, ju jeni dëshmia më e mirë e suksesit të shtetit tonë e përparimit tonë. Vetëm 11 vite më parë kemi filluar rrugën e konsolidimit të pavarur të Kosovës. Para nesh kemi një ushtri profesionale, multietnike e cila është në shërbim të shtetit më të ri në botë. E gatshme për të kontribuar për paqe në rajon por edhe në botë. E mirëpresim kohën kur do të shërbejnë për të ndërtuar paqen çdo kund në planet. Ju ushtria e Kosovës jeni krenaria jonë”, ka thënë Thaçi.  

“Këtë vit, do të marrim edhe një vendim tjetër strategjik për të ardhmen e vendit tonë, duhet të arrijmë marrëveshje paqësore me Serbinë. Një gjë duhet kuptuar kurrë nuk do të harrojmë spastrimin etnik, 13 mijë e 500 të vrarë, masakrat që për fat të keq personat ende nuk e kanë marrë dënimin e merituar, por herët e vonë drejtësia do të vihet dhe gjenocidi do të ndëshkohet. Edhe nëse vendimet janë dukur të vështira dhe të rënda, historia ka treguar se kanë qenë vendime të duhura për Kosovën, mbetet thelbësore të ruajmë partneritetin me aleatet ndërkombëtarë”, vlerësoi ai tutje gjatë fjalimit të tij.

Për këtë datë përkujtojmë të gjithë ata që kanë sakrifikuar, që kishin dhënë për këtë liri dhe për këtë shtet. Kujtojmë sakrificën sublime të familjes Jashari, përpjekjet e presidentit Rugova, kujtojmë çdo dëshmor, çdo aktivist, çdo punëtorë, çdo mësues, për të ndërtuar shtetin tonë.E ardhmja e sigurt mund të jetë vetme nëse jemi të bashkuar. Kemi punuar mirë dhe drejt.

Synimi ynë është të jemi pjesë e NATO-s dhe të punojmë për paqen dhe zhvillimin në vendin tonë. Suksese ushtarë, urime edhe njëherë 11 vjetori i shtetit të Kosovës, e gëzofshim përjetë pavarësinë në shtetin tonë”, vlerësoi Thaçi.