19:14 / E Diele, 23 Gusht 2020 / C E

Thaqi: Nuk kam asnjë simptomë, pozitiv po dalin edhe lojtarët që e kanë kryer para një muaji virusin

Drita, Gjilani, FC Prishtina ishin skuadrat nga Kosova që siguruan pjesëmarrjen në garat evropiane këtë edicion.

Drita si kampion ishte kualifikuar në Ligën e Kampionëve, Gjilani si nënkampion në Ligën e Evropës, së bashku me FC Prishtinën si fituese e Kupës së Kosovës.

Por, pandemia COVID-19 ndikoi keq te klubet kosovare, të cilat u përballën me probleme të shumta jashtë vendit, me disa raste pozitive me virusin korona.

Dritës iu anulua ndeshja në Ligën e Kampionëve ndaj Linfieldit, duke zbritur në Ligën e Evropës, ashtu si edhe FC Prishtinës ndeshja me Lincoln Red Impsin, derisa Gjilani në tentimin e dytë e zhvilloi ndeshjen ndaj Tre Pennes, të cilin e fitoi me shifrat 1:3.

Mbrojtësi dhe kapiteni i FC Prishtinës, Armend Thaqi në një bisedë me “Zeri” ka thënë se situata e krijuar së fundmi në klubin prishtinas ka qenë dëshpëruese.

Janë ndjenja jo të mira sepse po na shkon një vit mundi poshtë, por kjo është situata e krijuar në gjithë botën dhe nuk kemi çfarë të bëjmë, vetëm duhet të pajtohemi me këtë”, deklaroi fillimisht Thaqi.

Thaqi ishte ndër futbollistët e rezultuar pozitiv me virusin korona, por që ai thotë se nuk e ka asnjë simptomë.

Puna e virusit është pak e vështirë sepse po dalin pozitiv edhe ata lojtarë që e kanë kryer infeksionin para një muaji apo më shumë”, potencoi ish-mbrojtësi i Gjilanit.

Personalisht, nuk kam asnjë simptomë të vetme të virusit dhe kam dalur pozitiv”, insistoi Thaqi.

Për fund, në lidhje me të ardhmen e tij, Thaqi deklaroi se shumë shpejt gjithçka do të dihet.

Nuk ka ende diçka konkrete për të ardhmen time. Presim këto ditë të sqarohet gjithçka”, përfundoi të dielën Armend Thaqi.