12:29 / E Hënë, 10 Gusht 2020 / indeksADMonline

“The Telegraph”: Numri i viktimave në Angli është raportuar gabimisht më i lartë nga sa është

Shifrat zyrtare të vdekjeve nga Covid-19 në Angli mund të mos raportohen më në baza ditore, pas hetimit të kryer nga qeveria ndaj mënyrës së përllogaritjes që përdoret nga Instituti i Shëndetit Publik në vend, raporton gazeta britanike “Telegraph”.

Sipas gazetës përfundimet e hetimit të urdhëruar nga Sekretari i Shëndetësisë Matt Hancock dalin zyrtarisht javën e ardhshme, por “Teleraph” ka mësuar se aty është zbuluar se zyrtarët e shëndetësisë “kanë rritur” numrin e vdekjeve nga koronavirusi.

Një prej rekomandimeve që do të japin hetuesit është ndalimi i raportimit të përditshëm dhe nisja e raportimit të përjavshëm, tha për “Telegraph” një burim pranë qeverisë.

Më 17 korrik, Sekretari i Shëndetësisë u kërkoi autoriteteve që të pezullonin raportimin ditor, pasi ekspertë të Universitetit të “Oxford”-it zbuluan se në shifrat e vdekjeve përfshihen edhe persona që kishin humbur jetën disa javë ose muaj pasi ishin shpallur të shëruar nga koronavirusi.

Sipas sistemit të mëparshëm, çdokush që kishte dalë një herë pozitiv ndaj Covid-19 në Angli llogaritej automatikisht si i vdekur prej tij kurdo që vdiste, edhe nëse kishte vdekur në një aksident me makinë. Ndryshe nga Anglia, Skocia dhe Uellsi nuk raportonin si viktima të koronavirusit personat që vdisnin 28 ditë pasi kishin dalë pozitiv në test.

Që prej pezullimit të raportimit të viktimave, Instituti i Shëndetit Publik në Angli, ka raportuar vetëm numrin e rasteve të reja. Drejtoresha e institutit, Susan Hopkins, mbrojti mënyrën e llogaritjes duke thënë se ishte e miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. “Në Angli llogarisim si viktima të Covid-19 çdokush që humb jetën dhe ka dalë pozitiv në testim kurdoqoftë, në mënyrë që të dhënat të jenë sa më të plota”, ka thënë ajo.

Në total, në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, ku përfshihet Anglia, Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut, janë konfirmuar mbi 310 mijë raste me Covid-10 dje mbi 46500 viktima.