16:20 / E Martë, 30 Prill 2019 / indeksADMonline

Therja me thikë e mësueses në Prishtinë, vjen reagimi i ministrit Bytyqi

Pas rastit të therjes me thikë të një mësimdhënie në Prishtinë, nga një femër jashtë shkollës, ka ardhur reagimi i kreut të Ministrisë së Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Ministri ka thënë se ky veprim ekstrem, nuk tronditi vetëm sistemin e arsimit, por edhe gjithë opinionin tonë.

Sipas ministrit, dhuna nuk është, e as nuk do të lejojmë të bëhet as baza, as detyrimi i suksesit të askujt, as të fëmijëve, e as të personelit!

“I indinjuar nga lajmi tronditës i veprimit ekstrem në shkollën „7 Marsi“, shpreh vendosmërinë time dhe të MAShT për ta larguar dhunën nga shkollat tona! Ky veprim ekstrem, nuk tronditi vetëm sistemin e arsimit, por edhe gjithë opinionin tonë. Dhuna nuk është, e as nuk do të lejojmë të bëhet as baza, as detyrimi i suksesit të askujt, as të fëmijëve, e as të personelit! Rasti i sotëm tregon se komunikimi institucione -prindër nuk është në nivelin e duhur dhe se shkollat kanë nevojë për angazhimin real e të përhershëm”, ka thënë Bytyqi.

Ministri kërkon nga gjithë sistemi arsimor të vëhet në krye të detyrave të tyre.

“Secili nga ne, qofshim personel a prindër, u detyrohemi gjeneratave që janë në bankat e shkollimit t‘u shërbejmë me punë e përkushtim dhe t‘iu bëhemi shembëllimi i edukatës e të mirës! Thërras të gjitha organet përgjegjëse t‘i shkojnë deri në fund këtij rasti”, ka thënë ai./Indeksonline/