16:14 / E Mërkurë, 08 Gusht 2018 / indeksADMonline

Thyerja e rekordeve të Kosovës, suksesi i vetëm i notarëve tanë në Kampionatin Evropian

Katër notarët tanë, Fjorda Shabani, Eda Zeqiri, Dren Ukimeraj dhe Dion Kadriu, kanë mbyllur garat në kampionatin evropian, që po mbahet në Glasgow të Skocisë.

Suksesin e vetëm notarët tanë e arritën në thyerje të rekordeve të Kosovës.

Fjorda Shabani, që të martën mbushi 14-vjet, theu rekordin e Kosovës në 100 metra krol, duke arritur kohën 01:02:74 sekonda. Notarja e talentuar theu rekord edhe në 100 metra shpinë, duke përfunduar me kohë 01:05.87 sekonda.

Rekord theu edhe Dren Ukimeraj, në disiplinën 200 metra krol, me kohë 02:03:04. Dreni sukses personal pati edhe në disiplinën 100 metra shpinë, duke thyer rekord të Kosovës me kohë 01:04:62.

Rekord të vendit tonë, por në disiplinën 50 metra shpinë, theu edhe Eda Zeqiri, duke arritur kohën 00:30:95 sekonda.

Sa i përket renditjes së përgjithshme nëpër disiplina, garuesit tonë u renditen kryesisht në vendet e fundit, duke qenë ende larg pozitave garuesve tjerë, por mosha e re jep shpresa për përmirësim të mëtutjeshëm të kohërave të tyre.