10:22 / E Enjte, 17 Shkurt 2022 / A. M.

Thyhen xhamat e Lëvizjes së Progresit Demokratik në Bujanoc

Pikërisht natën mes 16 dhe 17 shkurtit, kur në Kosovë shënohet përvjetori i 14 i Pavarësisë, në qytetin e Bujanocit janë thyer xhamat e Lëvizjes së Progresit Demokratik, një subjekt ky që udhëhiqet nga Shqiprim Musliu, i biri i ish liderit të ndjerë të LPD-së, Jonuz Musliut, njëherit ish komandant i UÇPMB.

LPD, njihet për qëndrimet e saja për mbrojtjen dhe kultivimin e simboleve dhe traditave e vlerave kombëtare në Luginë, çka ka bërë që zyrtarë të këtij subjekti këtë sulm ndaj zyrave të tyre ta quajnë edhe kërcënim.

“Është thyer xhami i LPD-së, ku është dëmtuar edhe invertari brenda zyrës. I ftojmë organet kompetente ta zbardhin këtë rast. Ky është kërcënim”, ka shkruar Nevzad Lutfiu, asambleist komunal në Bujanoc nga radhët e Lëvizjes së Progresit Demokratik.

Ndryshe, muaj më parë, në Konçul të Bujanocit, në vendlindjen e liderit të LPD-së, pikërisht ishte zgjedhur lapidari i dëshmorit Fatmir Ibishi, për t’u hequr flamuri kombëtar dhe i njejti ishte zëvendësuar me një të Serbisë.

Ishte Shqiprim Musliu, udhëheqës i LPD-së, ai që nga lapidari hoqi flamurin serb dhe e zëvendësoi me flamurin kombëtar shqiptar.

Musliu, kishte thënë se gjitha këto provokime janë inskenime që vijnë nga Beogradi.