13:23 / E Premte, 31 Maj 2019 / indeksADMonline

Tifozët e Vllaznisë së Pozheranit me “ultimatum”

Ka rreth dy muaj që kur punëkryersi për shkaqe ende të panjohura ka ndërprerë punimet në stadiumin “Ibrahim Kurteshi” në Pozharan duke përfunduar vetëm ndërtimin e objektit të zhveshtoreve.

Ka më shumë se një vit që kur u hodh gurë themeli për rikonstruktimin dhe rinovimin e stadiumit, ku sipas projektit parashihen të ndërtohen edhe tribunat si dhe të rregullohet dhe ndërtohet fusha me barë sintetik dhe komuna atëbotë u zotua për përfundimin në afat rekord.

Në planin për renovimin e stadiumit ishin paraparë ndërtimi i fushës sportive, tribunat dhe zhveshtorët duke shpresuar se ndërtimi i stadiumit do të përfundoj në planin e paraparë dhe me cilësinë e duhur,por kjo siç po shihet ishte vetëm një premtim nga komunarët.

E indiferentë nuk kanë mundur të jenë dhe tifozët “Tigrat” nga Pozharani, të cilët të pakënaqur ndërprerja e punimeve kanë dhënë këtë “ultimatum” komunarëve që sa më parë të vazhdojnë punimet në rinovim ku parashihet të investohen rreth 419 mijë euro.

“Tifozëria jonë zyrtarisht i jep ultimatum komunës së Vitisë në krye me Sokol Halitin se në rast se deri më datën 1 qershor 2019 nuk fillojnë punimet për stadiumin e ri do të ketë protesta të mëdha para kësaj komune!

Kërkesa jonë është shumë e qartë, duke marre parasysh edhe ato që na takojnë ligjërisht”, thuhet në reagim.

Ndryshe, Vllaznia e Pozharanit, pas rënies nga Superliga pas një viti garash, edhe këtë vit në Ligën e parë startoi dobët, por me angazhimin e Kryesisë dhe të lojtarëve arriti që të mbijetoj dhe i shpëtoi rënies në Ligën e Dytë.