“Tigrat” e Vllaznisë, kërcënojnë Komunën e Vitisë!?
Tifozët e Vllaznisë së Pozheranit, të njohur si “Tigrat” kanë kërcënuar Komunën e Vitisë.
IndeksOnline mëson se kjo tifozeri është në gjendje të shkaktojë probleme të mëdha, nëse Komuna e Vitisë nuk e ndërton fushën ndihmëse në territor të Pozheranit.
Federata e Futbollit të Kosovës para disa dite mblodhi të gjithë krerët e komunave të Kosovës dhe u premtoi nga 120 mijë euro për ndërtimin e fushave ndihmëse.
Komuna e Vitisë ka vetëm një skuadër në Superligë, atë të Vllaznisë së Pozheranit. Protestat e tifozëve vijnë pasi kjo komunë ua tregoi vendi se ku do të ndërtohet kjo fushë e cila nuk do të jetë në Pozheran, por në Sadovinë (fshat i Vitisë).
“Shpresojmë që të ndryshojë ky vendim dhe fusha ndihmëse të rregullohet diku në Pozheran ose së paku diku afër, përndryshe ne si fansa do të shprehim pakënaqësitë në mënyrë të ndryshme”, është një nga shkrimet kërcënuese për Komunën e Vitisë.
Kujtojmë se skuadra nga Anamorava pas 18 xhirosh në Superligë gjendet në pozitën e fundit me vetëm 8 pikë./IndeksOnline/