19:58 / E Hënë, 28 Shtator 2020 / indeksADMonline

Tirana ndër vendet më të shtrenjta në rajon

Sa kushton të jetosh në Shqipëri? Si ka ndikuar pandemia në çmimet e konsumit dhe me gjerë? A është Tirana një qytet i lirë apo i shtrenjtë? Indeksi i Çmimeve të Konsumit, për muajin gusht u fiksua në 2.1%, sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave. Diferencën, edhe gjatë këtij muaji e bënë produktet e shportës ushqimore.

“Në vlerësimet e çmimeve të konsumit të nxjerra nga INSTAT për muajin gusht, ne vëmë re një rritje 1.3 për qind….. Grupet kryesore që patën rritje kanë qenë produktet ushqimore, qira dhe lëndë djegëse”, shprehet Elton Alika, Drejtoria e Statistikave të sektorit real, INSTAT.

Por si ndikuan muajt e izolimit nga pandemia tek familje? “Tendenca që është vënë re në çmime, sidomos  në periudhën kulminante të pandemisë dhe deri më sot, ka qenë rritja e çmimit të produkteve të konsumit, e cila gradualisht ka pësuar ulje deri në krijimin e normalitetit”, thotë Alika.

Por të dhënat e INSTAT, shërbejnë si orientim, jo vetëm në perceptim, por edhe në vlera reale, se jetesa në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Agjencia “Numbeo”, e cila merr në analizë kostot e jetesës në më shumë se 500 qytete, referon se të jetosh në Tiranë kushton më shtrenjtë se në Prishtinë, Shkup apo Sarajevë. Sipas kësaj agjencie, kosto e jetesës së një banori të kryeqytetit në muajin gusht arriti në 52,580 lekë. E thënë ndryshe një familje me 4 anëtarë duhet të siguronte në portofol jo më pak se 185 mijë lekë.

Nëse do t’i referoheshin prodhimeve kryesore dhe shërbimeve që i nevojiten një familjeje në Tiranë, do të shihnim se pothuajse në të gjithë prodhimet janë shënuar kosto të larta. Grafiku i përpunuar, tregon se për banorët e kryeqytetit, pjesa më e madhe e parave në portofol harxhohet në market, më tej për qira e transport, ndërsa koha e lirë dhe veshjet zënë volumin më të ulët. Përveçse ka çmime të shtrenjta të ushqimeve, shqiptarët kanë dhe të ardhurat ndër më të ulëtat në rajon, çka bënë që ata të kenë dhe peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime.

Por për të parë se ku qëndron Shqipëria dhe Tirana në raport me vendet e tjera, rezulton se në Europë, Zvicra e Norvegjia janë 3 vendet me koston me të lartë të jetesës, ndërsa sipas qyteteve Tirana renditet në vendin e 353, nga 512 rajone të marrë në shqyrtim.

Përmbledhje e kostos së jetesës në Tiranë

Kostot mujore të familjes me 4 persona:

185,505.83 lekë (pa shpenzime qiraje)

Kosto e një personi të vetëm:

52,577.90 lekë

Kostoja e jetesës renditet në 367-të nga 553 qytete në botë. Tirana ka një indeks të kostos së jetesës 40,62.

Indeksi i kostos së jetesës në rajon

Kosovë 28.42

RMV      32.96

Bosnje  36.57

Shqipëri 36.96

Serbi      36.98

Mali i Zi 38.68

Kosto e jetesës sipas qyteteve

1             Zyrihu                  

7             Neë York

107         Roma                  

341         Podgorica          

349        Beogradi             

353        Tirana                  

364        Sarajeva                              

384        Shkupi  

475        Prishtina             

512        Karaçi                   

Shpërndarja e shpenzimeve

Transport                                 15.1 %            

Veshje                                     4.5 %

Sporti dhe koha e lire              7.2 %

Market                                     31.6 %

Faturat                                     9.3 %

Qira                                         19.1 %

Bar-Restorante                       13.2 %