16:06 / E Mërkurë, 20 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Tmerri i kampit në Malet e Kleçkës, përjetimet e hidhura të Esatit që ishte vetëm 12 vjeç

Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga lufta e fundit në Kosovë, dhimbja, tmerri, përjetimet dhe vuajtjet, ende janë të pranishme.

Shumë nëna mbeten pa fëmijë, shumë gra pa burra, e shumë fëmijë pa prindër, plagë këto që nuk do të mbyllen kurrë, të paktën deri sa drejtësia të shkoj në vend.

Ani pse ishte vetëm 12 vjeç, Esat Shala, zgjohet çdo ditë më të njëjtat imazhe në kokën e tij, ai jeton duke kujtuar të kaluarën, ditët më të tmerrshme të fëmijërisë së tij, pasi që fëmijëria e tij nuk ishte si e të gjithëve, ai s’kishte ëndrra, por vetëm një dëshirë, të mbijetonte.

Për Indeksonline, Esati rrëfen qëndrimin e tij dhe familjarëve të tij në kampin më të madh të kosovarëve, atë në Malet e Kleçkës, përkatësisht tek vendi i njohur si Përroi i Thatë ku kishin qëndruar për disa muaj.

“5 herë në vit shkoi në at vend. Kemi qenë 85 mijë banor, unë isha me familje dhe të afërmit e mi. Në at vend, trishtimi më i madh ka qenë në orën 16:00 kur Radio Kosova e Lirë, i ka transmetu lajmet dhe forcat serbe në atë kohë e kanë sulmu shumë këtë vend, me qëllim të pengimit të transmetimit të lajmeve.

Unë personalisht kam pa njerëz pa këmbë dhe gra të vrara nga minahedhësit e ushtrisë serbe.

Deri në qershor të vitit 1999 kemi qëndru aty, ushqimi ka qenë shumë i kufizuar, vetëm bukë dhe krip kemi ngrënë për tre muaj e higjena ka qenë nën zero”.

Momenti që ai nuk do ta harrojë kurrë, e i cili çdo ditë i shfaqet në mendje, është vdekja e një gruaje.

“Në jemi vendos në fillim të muajit prill në atë pjesë, por nga shtëpitë tona jemi largu në vitin 1998, deri në çlirimin e vendit. Një nga momentet më të dhimbshme, ishte kur një grua nga Arllati i Drenasit që ishte afër neve, u godit nga një granatë, trupi i saj u këput në mes”.

Përveç që i kthehet atij vendi nga i cili nuk i largohet dot nga kujtesa, Esati ka shumë vite që grumbullon fotografi, për të dokumentuar këtë terror që bëri armiku serb mbi civilët kosovarë.

“24 orë punoj për të kaluarën, që rinia jonë me ndërtu të ardhmen duke e kujtuar të kaluarën tonë të dhimshme”, shprehet ai.

Kujtojmë që në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë 13 mijë e 549 persona, prej tyre 76 përqind civilë, kurse 24 përqind pjesëtarë të formacioneve të armatosura

Prej viktimave civile 1 mijë e 400 ishin nën moshën 18 vjeçare. Sa i përket përkatësisë etnike të cilët janë vrarë, shumica prej tyre janë shqiptarë me numrin prej 8 mijë e 693, kurse 1 mijë e 196 janë serb dhe 445 romë dhe të tjerë./Indeksonline/