12:00 / E Martë, 07 Prill 2020 / indeksADMonline

Tonali rrëfen ferrin në Brescia: Këtu si fushëbetejë, mos flisni për futboll!

Sandro Tonali është një nga lojtarët më të kërkuar italianë. Mesfushori, të cilin e krahasojnë me Andrea Pirlo, ka dhënë së fundmi një intervistë për Corriere della Sera dhe flet për situatën e vështirë në Brescia, si dhe për rikthimin e kampionatit. Ai është në një linjë me presidentin Massimo Cellino, i cili është kundër rinisjes së garës.

“Jam me presidentin, do të luajmë vetëm kur të jetë e mundur, asnjë ditë më parë. U luajt më shumë seç duhet, para se të ndalej. Mbaj mend atmosferën absurde në ndeshjen kundër Sassuolo. Nuk kishte kuptim. Po flasim për vdekje, spitale, shëndetësi. Futbolli është festë. Unë mund të jem gati, por a janë gati njerëzit?

A mund të festojnë ata për një gol? A mërzitesh dot për një humbje, kur sheh se çfarë po ndodh? Le të mos bëjmë shaka. Familja ime është në Lodi, unë jetoj në Brescia, Kemi dy muaj pa u parë. Futbolli është një gjë, jeta e vërtetë një tjetër. Dhe dikush thotë që futbolli është gjithçka, një ëndërr që po bëhet e vërtetë”, shprehet Tonali.

Brescia ndodhet në vendin e fundit dhe mesfushori e pranon se e meritojnë atë pozicion: “Nuk dua dhurata, jemi të fundit dhe e meritojmë. Ne do të luajmë kur të jetë për të luajtur. Shëndeti vjen i pari. Luajmë kur të jetë momenti, me porta të mbyllura apo sido të vendoset. Do të luajmë edhe për ata që vuajnë, për ata që kanë humbur babanë apo gjyshin, për ata që nuk do të jenë në stadium. Do japim atë që nuk e kemi dhënë deri tani”.

Tonali më tej rrëfen situatën e vështirë në Itali: “Vetëm ata që jetojnë në Brescia dhe në Bergamo e dinë se çfarë po ndodh. Është si një luftë. Nga jashtë ndoshta nuk e kuptoni dot. Më besoni se të gjithë duam vetëm të dalim sa më mirë nga kjo emergjencë botërore. Unë jetoj jashtë Brescia, në periferi. Këtu ambulancat dëgjohen në çdo orë të ditës dhe të natës.

Spitalet janë në një situatë dramatike. Jam me fat që kam mundësinë që të qëndroj pranë të dashurës time. Jemi bashkë prej pesë muajsh, një në karantinë. Kemi fatin që kemi edhe hapësire dhe dje kemi bërë edhe një fushë tenisi në kopsht, për të kaluar kohën. Personalisht jam mirë, por nuk mund të mos mendoj për ata që vuajnë.

Gjyshja ime ka qenë për një muaj e mbyllur në shtëpi. Ajo as nuk mund të shkojë të dërgojë një tufë me lule te varri i gjyshit. Për të është diçka e rëndë. Si mund të mos mendoj për të gjitha këto?”, thotë mesfushori, i cili më tej thekson se nga kjo situatë e vështirë duhet të dalin më të mirë si njerëz dhe të mos e harrojnë kurrë këtë që u ka ndodhur.

“Është një ide e shkëlqyer të luhet një miqësore mes Brescia dhe Atalanta. Të ardhurat duhet të shkojnë për spitalet, për ata që kanë vuajtur. Madje duhet organizuar çdo verë, për të mos e harruar. Kur të mbarojë ky ferr, nuk duhet ta harrojmë. E përsëris, kam shumë besim se do të dalim më të fortë nga e gjithë kjo situatë dhe duhet të dalim më të mirë”, përfundon Tonali.