21:30 / E Shtunë, 27 Prill 2019 / indeksADMonline

Totti i hap derën trajnerit të ri: Ai ka fituar kudo që ka drejtuar

Francesco Totti ka konfirmuar sot se avokati i Romës ka zhvilluar një takim me trajnerin Antonio Conte, për t’i ofruar drejtimin e skuadrës verdhekuqe sezonin e ardhshëm.

Aktualisht skuadra drejtohet nga Claudio Ranieri, që synon ta ngjitë ekipin në vendin e katërt dhe ta kualifikojë në Champions League.Pikërisht një vend në Champions duket se është kushti që ka vënë Conte edhe pse Totti mohon këtë fakt.

“Champion nuk është kusht për trajnerin e ri. Conte? Unë nuk e kam takuar, por avokati ynë po. Gjithsesi, nuk është korrekte të flasim për Conte tani, kur Roma e ka një trajner”, tha Totti.

“Në fund të sezonit do të ulemi e bisedojmë për trajnerin e ri, për të vlerësuar të gjitha opsionet që kemi. Nuk e mohoj që Conte është një nga trajnerët më të fortë aktualisht në Europë, fitues kudo që ka drejtuar. Çdo ekip do të bënte çmenduri për ta marrë, sidomos kur ekziston një projekt”, u shpreh legjenda Totti.