17:56 / E Diele, 04 Korrik 2021 / A. A

Tovërlani pas përplasjes me Sokolin: Një gjuhë e tillë nuk duhet të përdoret në debate sportive

Të shtunën mbrëma profesorët Bylbyl Sokoli dhe Afrim Tovërlani eskaluan në debat televiziv duke përdorur edhe akuza për njëri tjerin.

“Mos um filozofo këtu, ti don me korrigju diçka por unë jam profesori yt, ti nuk ki lidhje me asgjë” iu drejtua në këtë formë Sokoli homologut të tij Tovërlani në Euro Dueli.

Nuk mungoi as kundërpërgjigja e Tovërlanit: “Çifti yt që shkon këshilltar te politikanët, e çifti i juve profesorave i keni ka 5 vende të punës”.

Ish trajneri i Prishtinës, Afrim Tovërlani thotë se një gjuhë e tillë nuk duhet të përdoret në debate sportive.

“Po mendoj që një gjuhë e tillë nuk duhet të përdoret në debate sportive dhe nuk është në rregull edhe ndaj shikuesve. Nuk e di nëse ai e ka pas personale apo jo, mundeni me pytë atë. Unë kurrë nuk kam pasur diçka personale as nuk kam. Një arsye mund të jetë që ndoshta jam trajneri më i trofeshëm në Kosovë, e ai për 31 vjet e ka fituar vetëm një titull.

E vërtetë është që 8 vjet kam bo kur e kam kry fakulltetin, sepse e kam regjistru para luftës dhe mandej një periudhë e kam lënë. Ka qenë një person që më ka shty edhe nuk jam marrë kurrë më punën e profesorit, përndryshe titullin e kam profesor por asnjëherë nuk kam tentu me u marrë me punën e profesorit” deklaroi Tovërlani për Indeksonline.