21:23 / E Diele, 19 Maj 2019 / indeksADMonline

Tovërlani: Prishtina nuk është klub italian, dështoi teoria “mbrojtja e sjellë titullin”

Trajneri më i trofeshëm në Kosovë, Afrim Tovërlani e ka komentuar dështimin e Prishtinës që nuk arriti të fitonte titullin e kampionit e as Digitalb Kupën e Kosovës. Sipas tij fajet i ka vetë Prishtina që nuk arriti as pas 6 vitesh të kurorëzohet me titullin kampion.

“Pikë së pari duhet me gjetë fajtorin, pse nuk arritën titullin ose kupën, po hyn në vitin e 7-të pa titull. A janë fajtorë vetëm futbollistët, trajnerët që janë ndrru shumë, apo ndonjëri prej anëtarëve të kryesisë me ide ose insistime për vendime të ndryshme. Prishtina e ka fajin vetë. Diskualifikimi nga Kupa nga Trepça 89, edhe humbja nga Flamurtari kanë bërë që të mos jetë kampion. Edhe vitin e kalum, edhe këtë vit Prishtina i ka fajet kryekput vetë. Nëse edhe sot kanë mendu që me fitu si gjatë gjithë vitit, me posedim, në duke sulmuar në 20 minutat e fundit, ka qenë gabim. Kësaj here janë befasu nga Feronikeli. Kur mbetet që lojën me ta organizu dy mbrojtësit central të fundit kjo është e pakuptimtë” deklaroi Tovërlani për Indeksonline.  

Tovërlani në mënyrë indirekte ka kritikuar edhe taktikat e trajnerit Mirel Josa. Ai deklaroi që Prishtina nuk është klub italian por kosovar.

“Prishtina për 95 minuta mos me qenë në gjendje gjysëm rreziku me shkaktu është e pakuptimtë. Nuk janë ekipet kosovare si ekipet italiane, që mbrojtja ta sjell titullin, se në Itali i kan pas disa sulmues që nuk ta kanë humbur rastin. Prishtina nuk është klub italian, është klub kosovar. Prishtina asnjëherë nuk ka lu për barazime apo për kalkulime. Kqyrni listat e golashënuesve, sa futbollistë të Feronikelit figurojnë aty e sa të Prishtinës dhe e shihni. Sa i përket Feronikelit mendoj që me meritë e ka fitu, këtë e dëshmoi edhe sot në ndeshjen vendimtare” theksoi Tovërlani për Indeksonline.