Tragjedi në Mynih: Gjendet i pajetë 29-vjeçari që u zhduk në një liqen artificial
Një 29-vjeçar nga India, i cili ishte zhdukur në ujërat e një liqeni artificial në zonën Langwied të Mynihut që nga mbrëmja e së dielës, është gjetur i pajetë pas një operacioni kërkimi nga policia dhe ekipet e shpëtimit.
Sipas autoriteteve gjermane, shoku i tij, gjithashtu 29 vjeç, e kishte parë teksa luftonte për të mbijetuar në ujë, përpara se të zhdukej nën sipërfaqe. Ai kërkoi menjëherë ndihmën e pushuesve të tjerë, të cilët u përpoqën ta gjenin duke u zhytur në ujë, por pa sukses. Edhe ndërhyrja e ekipit të shpëtimit në ujë nuk arriti ta lokalizonte të riun, raporton BILD, transmeton Klankosova.tv.
Kërkimet rifilluan të hënën rreth orës 12:30 nga policia, por shpresat për ta gjetur gjallë ishin pothuajse të shuara. Ndërkohë, në bregun e liqenit vazhdonin të qëndronin pushues dhe persona që po laheshin, ndërsa ndiqnin nga afër operacionin e kërkimit.
Vetëm pasi një zhytës i policisë hyri në ujë, notarëve iu kërkua të dilnin, për të shmangur krijimin e turbulencave që mund të pengonin shikueshmërinë nën ujë.
Rreth pesë minuta më vonë, trupi i 29-vjeçarit u gjet në një thellësi prej rreth 10 metrash. Pas zbulimit të tij, policia rrethoi një pjesë të bregut dhe largoi personat kureshtarë nga zona.
Dy zhytës e vendosën trupin në një qese speciale nën ujë, ndërsa më pas ai u tërhoq drejt bregut me ndihmën e një litari nga efektivët e policisë. Në vendngjarje, një mik i viktimës konfirmoi identitetin e tij.
Autoritetet gjermane po hetojnë rrethanat e ngjarjes, ndërsa dyshohet se bëhet fjalë për një aksident tragjik gjatë notit.

