13:56 / E Premte, 14 Shkurt 2020

Trajneri i Dritës për derbin ndaj Gjilanit: Kemi analizuar kundërshtarin deri në detajet më të vogla

Stinori pranveror do të fillojë këtë fundjavë, ndërsa në program është super derbi Drita:Gjilani i cili zhvillohet të dielën me fillim nga ora 13:00.

Të dyja ekipet nga Gjilani janë në garë për titull, ndërsa pritet një ndeshje e zjarrtë.

I kontaktuar nga Indeksonline, trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu tha se e kemi analizuar kundërshtarin deri në detajet më të vogla.

“Kemi analizuar kundërshtarin në detajet më të vogla , duhet ti mbyllim pikat kryesore të tyre dhe te gjejmë hapësirat që mund të krijohet për të dënuar kundërshtarin. Më gëzon fakti që të gjithë futbollistët janë gati për këtë ndeshje. Kemi pasur grupin e mirë shumë, tani me ardhjen e Kastriotit , Astritit dhe portjeri Faton Maloku mendoj qe jemi rritur edhe më tepër si skuadër, kemi shtuar  kualitetin dhe cilësinë” – tha Nuhiu

Tutje ai theksoi se këto ndeshja janë më të veçanta sepse të dyja klubet synojnë garat evropiane.

“Këto ndeshje jane të veçanta, ketë ndeshje e bën edhe më të veçantë klasifikimi… objektivi i dy skuadrave që garojnë për dalje në Europë ” – u shpreh trajneri i Dritës.

Në fund, ai u shpreh optimist për fatin e këtij takimi.

“Ndeshje e cila duhet luftuar shumë, duhet të kemi grindë, të japin maksimumin të gjithë futbollistët që do të paraqiten në fushë dhe besoj që nuk do të kemi problem ta marim më të mirën nga ndeshja” – përfundoi Ardian Nuhiu.

Indeksonline kontaktoi edhe me trajnerin e Gjilanit, Gentjan Mezanin, por ky i fundit nuk ktheu përgjigje.

Momentalisht, Gjilani gjendet para Dritës me një pikë më shumë, 32 në pozitën e dytë, ndërsa Drita renditet e treta./Indeksonline/

Mos i humb