11:37 / E Enjte, 01 Tetor 2020 / C E

Trajneri i Maq. së Veriut shtynë publikimin e listës për ndeshjen me Kosovën, pret testin e Covidit për Elmasin

Përzgjedhësi i Maqedonisë së Veriut, Igor Angelovski, e ka shtyrë edhe për disa ditë publikimin e listës së futbollistëve që do t’i ftojë për ndeshjen historike kundër Kosovës.

Maqedonia e Veriut, të enjten e ardhshme (8 tetor), do të përballet me Kosovën në Shkup, në kuadër të gjysmëfinales së plejofit të Ligës së Kombeve për një vend në “Euro 2020” që mbahet vitin e ardhshëm.

Angelovski kishte paralajmëruar publikimin e listës për të enjten (sot), por ka vendosur që një gjë të tillë mos ta bëjë deri të shtunën, kanë njoftuar të mërkurën mediumet e Maqedonisë së Veriut.

Arsyeja që Angelovski ka ndërmarrë një vendim të tillë është situata me rastet e prekura me koronavirusin në Serien A, saktësisht te skuadra e Genoas, anëtar i së cilës është edhe kapiteni i Maqedonisë së Veriut, Goran Pandev.

Dhjetë futbollistë të Genoas dhe katër anëtarë të stafit të klubit kanë rezultuar pozitivë në testet e bëra pas ndeshjes me Napolin të zhvilluar vikendin e shkuar.

Pas kësaj, komplet ekipi i Genoas është i obliguar të futet në karantinë dhe Angelovski po pret një lajm nga Pandevi, i cili në testin e parë ka rezultuar negativ.

Te Napoli në duelin kundër Genoas ka luajtur edhe Elif Elmas, një reprezentues tjetër i Maqedonisë së Veriut. Kështu që, Angelovski ka vendosur për të pritur edhe disa ditë përpara se ta publikojë listën ndonëse ftesa tashmë u ka dërguar lojtarëve.

Gjithashtu në listën e Angelovskit është edhe portieri Martin Bogdanov, i cili para disa ditësh ka dalë pozitiv dhe gjasat janë të mëdha që ai të mungojë.

Sipas mediumeve maqedonase, Angelovski mund të bëjë ndryshime në listë në momentet e fundit dhe për këtë arsye e ka shtyrë publikimin e listës për ndeshjet e këtij muaji.

Seleksionuesi i Maqedonisë, Igor Angelovski, do të shtyjë shpalljen e listës së lojtarëve të ftuar për ndeshjen historike të plejofit të Ligës së Kombeve kundër Kosovës. Ai duhej të shfaqej në publik të enjten, por do të presë deri të shtunën. Arsyeja është situata e re me Covid-19 në Itali, më saktësisht në ligën e futbollit Genoa, anëtar i së cilës është Goran Pandev”, ka shkruar sajti “Ekipa”.

Problemi është se të gjithë te Genoa janë në karantinën e detyrueshme, kështu që varet nga autoritetet lokale nëse Pandev do të marrë një leje për të udhëtuar në Maqedoni, nëse përsëri do të kishte një test negativ për COVID-19”.

Maqedonia e Veriut pritet që të hënën e ardhshme të nisë grumbullimin për këtë ndeshje historike që është e rëndësishme për të dyja përfaqësueset dhe do të luhet pa praninë e tifozëve. Krahas duelit me Kosovën, Maqedonia e Veriut do t’i luajë edhe dy ndeshje të tjera gjatë këtij muaji, por në kuadër të Ligës së Kombeve. Më 11 tetor luan në udhëtim kundër Estonisë derisa tri ditë më vonë e pret në shtëpi Përfaqësuesen e Gjeorgjisë.