13:14 / E Hënë, 29 Mars 2021 / Blerim

Trajneri i njohur kosovar, tregon gabimin e Kosovës ndaj Suedisë!

Kombëtarja e Kosovës mbrëmë e humbi sfidën ndaj Suedisë në kuadër të parakualifikimeve për Kampionatin Botëror, Katar 2022.

Suedia e fitoi këtë takim me rezultatin final në 0:3, shkruan IndeksOnline

Por se ku gaboi Kosova, pse erdhi deri te ky rezultat, çfarë duhet të bëjë Challandes, IndeksOnline ka biseduar me trajnerin e njohur kosovar, Arsim Prepollin.

Ai fillimisht tha se duhet ditur kapacitetin e Suedisë se sa të fortë janë dhe se sa kishte gjasa Kosova ndaj tyre.

“Po bëhet fjalë për një Kombëtare serioze siç është Suedia, duhet të jemi real. Por, unë mendoj se kapaciteti ynë ky është për momentin, a kemi gabime sigurisht se kemi. Edhe kritikat pranohen se sigurisht se ka kritika dhe do të ketë gjithmonë, por gjithmonë nga njohësit e futbollit pranohen. Por, tek ne Kombëtaren tonë e analizojnë artistët, modelet dhe këngëtaret. Por, këto kritika unë si marr seriozisht sepse analist me qenë është fjalë e madhe nuk është fontanë dëshirash”, tha fillimisht Prepolli.

Ai gjithashtu tha se Kosova duhet të luajë më ashpër, sidomos në mbrojtje.

“Kosova duhet të jetë shumë më e ashpër, sidmos në mbrojtje dhe në mes fushë më agresive. Nuk mund të them që futbollistët nuk e kanë dhënë maksimumin, por mendoj se dhe selektori duhet të ndryshoj të paktën mënyrën taktike të lojës, kjo sepse Kombëtaret nga Kombëtare ndryshojnë, nuk është e njëjtë si Lituania, Suedia apo Spanja”, përfundoi trajneri kosovar.

Kujtojmë se Kombëtarja jonë ndeshjen e radhës do ta luajë ndaj Spanjës në Sevilje me datë 31 mars./IndeksOnline/