13:25 / E Hënë, 08 Mars 2021 / Blerim

Trajnerja, Fazlija flet për Kombëtaren e Kosovës dhe ka një mesazh për gratë për 8 Mars!

Kombëtarja e Kosovës (vajzat) ka përfunduar ciklin e kualifikimeve për Kampionatin Evropian në dhjetor të vitit 2020.

Ndërsa, para hedhjes së shortit për kualifikimet në Kampionatin Botëror, Kombëtaren tonë të vajzave e presin disa ndeshje miqësore që ende nuk janë caktuar, shkruan IndeksOnline

Për të njohur më shumë punën e Kombëtares së Vajzave, a janë duke kryer përgatitje, cilat janë planet, IndeksOnline ka kontaktuar me trajneren “Dardane”, Afërdita Fazlija.

“Momentalisht kemi përfunduar ciklin për kualifikime për Evropianin në dhjetor të vitit 2020. Ndërsa, gjatë pjesë së parë të vitit 2021 i presim disa ndeshje miqësore, deri në hedhjen e shortit për kualifikime për Botërorin”, tha fillimisht Fazlija.

Ajo erdhi edhe me një mesazh për fund me rastin e 8 marsit Ditës së Gruas.

“Me bindje se vitet në vazhdim do të jenë të barabarta për të dyja gjinitë, urimet më të mira për të gjithë vajzat, shëndet, mbarësi dhe perspektivë!”, tha ajo./IndeksOnline/