17:58 / E Diele, 11 Gusht 2019 / indeksADMonline

Trajtimi i flokëve me keratinë, cilat janë 3 gjërat që parukieret nuk ua thonë kurrë para se ta provoni

Flokët tona kalojnë çdo ditë sprova nga më të ndryshmet si dieta, stresi, ndotja dhe faktorë të jashtë ambientalë, përdorimi i tharëses dhe piastrës, dekolorimi, lyerjet e shpeshta etj. Kështu që nuk është aspak për t’u habitur që një në dy gra të kenë probleme me flokët. Sigurisht që maskat natyrale, të cilat nuk mungojnë kurrë në faqen LIVING, janë një zgjedhje shumë e mirë, por kohët e fundit gjithmonë e më shumë gra po zgjedhin trajtimin me keratinë. 


Para së gjithash duhet të dini që keratina është një proteinë natyrale që ndërton shtresën e jashtme të fijes së flokut. Fibrat e dëmtuara të keratinës u japin flokëve një pamje më të lodhur, të dobët, të thatë, të ashpër në prekje, te vështirë në krehje, dhe shkaktojnë ndarje të majave të flokëve. Megjithatë para se të trokisni në derën e parukieres, lexoni se ç’duhet të dini përpara se të nisni trajtimin me keratinë, i cili shërben gjithashtu për të drejtuar edhe flokët kaçrrela:

1.NUK FUNKSIONON SA HAP E MBYLL SYTË: Mos mendoni se rezultatet duken menjëherë. Pasi të mbaroni trajtimin me keratinë, duhet të jeni të gatshme të bëni disa sakrifica të vogla si psh: nuk mund t’i lidhni flokët bisht, t’i drejtoni me piastër apo t’i bëni gërshet për të paktën 3 ditë. Gjatë këtyre ditëve këshillohet të mos i lani pasi rrezikoni që t’i dëmtoni akoma më shumë dhe keratina të mos kryejë plotësisht funksionin e saj. Nëse e keni flokun të lyer paraprakisht, do të vini re një zbehje të ngjyrës, duke e bërë të duket shpeshherë edhe si dyngjyrësh. Parukieret këshillojnë gjithashtu të mos përdorni shampo të zakonshme, por shampo specifike për larjen e flokut pas trajtimit.

2.JO GJITHMONË ARRIHET REZULTATI ME TRAJTIMIN E PARË: Pavarësisht sa shpenzoni, duhet të keni parasysh që jo gjithmonë arrihet rezultati i trajtimit që pas provës së parë. Kjo nuk ka të bëjë me cilësinë e produktit apo shërbimit, por sipas ekspertes hollywood-iane O’Connor me aftësinë e flokut për të përthithur keratinën, ose jo.

3.NUK ËSHTË 100% NATYRAL:  Kohët e fundit në media po flitet gjithmonë e më shumë për produkte bio, organike dhe natyrale, megjithatë duhet t’ju informojmë që keratin nuk është një prej tyre. Ashtu si boja, llaku,shkuma e flokëve, por edhe një sërë produktesh të kësaj natyre kanë një përqindje të caktuar përbërësish kimikë në përmbajtjen e tyre. Kështu që bëni mirë të informoheni para se të vendosni ta provoni këtë trajtim./BURIMI “MARIE CLAIRE”