17:12 / E Martë, 05 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Tre muaj burg dhe gjobë për dy burrat nga Podujeva që vodhën një frigorifer

Tre muaj burg dhe 150 euro gjobë me kusht, ka shqiptuar Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ndaj dy të akuzuarve për vjedhje, Limon Lahu dhe Armend Tatari.

Por, të dy dënimet ndaj tyre, nuk do të ekzekutohen nëse ata nuk kryejnë ndonjë vepër tjetër penale brenda një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dy të akuzuarit, janë liruar nga shpenzimet procedurale për shkak të gjendjes sociale.

Ndërsa, pala e dëmtuar për kërkesën pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Ky aktgjykim është shpallur, pasi në seancën e së martës, të akuzuarit kanë pranuar fajin për veprën që iu vihej në barrë.

“E pranoj fajin. Është e vërtetë se na e kemi marrë frigoriferin, kemi menduar se atë e ka humbur dikush. Është hera e parë që jam para gjykatës, jetoj me ndihmë sociale. Frigoriferi nga policia është kthyer tek pronari. I kërkoj falje gjykatës dhe të dëmtuarit”, ka deklaruar i akuzuari Lahu.

Fajtor është deklaruar edhe i akuzuari Tataro, i cili ka thënë se shpreh keqardhje për veprimin e tij.

“Edhe unë e pranoj fajin, kom gabu, më vjen keq shumë. Jemi kanë tu mbledh kanaqe me Limanin, edhe kemi mendu që ai frigorifer është i humbur. Është hera e parë që jam në gjykatë dhe premtoj gjykatës se ky rast nuk ka me u përsërit, lus për një dënim sa më të lehtë”, ka deklaruar i akuzuari Tatari.

Pranimin e fajësisë nga të akuzuarit, nuk e ka kundërshtuar prokurori Ilir Morina dhe më pas e ka aprovuar edhe gjykatësi i çështjes, Minir Hoti.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 gusht 2019, Limon Lahu dhe Armend Tatari akuzohen se me 8 mars 2018, rreth orës 13:00, në rrugën “Zahir Pajaziti”, në Podujevë, me dashje në bashkëkryerje dhe me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete, e vjedhin një frigorifer, pronë e subjektit “Corner Bar”, me pronar Muhamet Maloku.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit po kalonin afër subjektit afarist, ku në hapësirën e jashtme të lokalit dhe pa lejen e pronarit e marrin frigoriferin, duke e tërhequr rreth një kilometër deri tek Stacioni i Autobusëve, dhe duke e lënë në trotuar.

Sipas aktakuzës, me atë rast i pandehuri Tatari, qëndron për ta ruajtur, kurse i pandehuri Lahu shkon në shtëpinë e tij për ta marrë një karrocë, me qëllim transportimit të frigoriferit, me ç’rast nga një operacion policor ata janë identifikuar dhe janë arrestuar.

Në aktakuzë thuhet se më këtë veprim, të dëmtuarit i është shkaktuar dëm në vlerë prej 350 euro.

Me këtë, ata akuzoheshin se kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “vjedhje”, nga neni 325, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi