15:31 / E Enjte, 04 Tetor 2018 / indeksADMonline

Tre persona rrahin kosovarin në Zvicër, e bëjnë për spital

Mbrëmjen e së mërkurës, në Bilten GL është shkaktuar një dhunë serioze. Rreth orës 18.00, tre persona kanë sulmuar një person në rrugën “Kusterwiesstrasse”. Viktima është goditur nga prapa me një mjet të fortë druri dhe ka pësuar plagë të rënda në kokë, shkruajnë mediat zvicerane.

Përderisa personi i lënduar është dashur të transportohet me helikopter për në spitalin kantonal në St. Gallen, sulmuesit janë arratisur me një veturë.

Policia menjëherë ka filluar kërkimet, të cilat kanë qenë të suksesshme. Rreth dy orë më vonë, dy nga autorët e supozuar kanë mundur të arrestohen në qytetin e Cyrihut. Të dy të arrestuarit janë një zviceran 16-vjeçar, me sfond migrimi dhe një shqiptar 44-vjeçar. Kërkimi për një person të tretë është ende në rrjedhë e sipër, përcjell albinfo.ch.

Sipas policisë së Glarusit, viktima është një kosovar 41-vjeçar. Por, aktualisht ai nuk është në gjendje të rrezikshme për jetë. Shkaqet e kësaj zënke mbeten ende plotësisht të paqarta. Policia kantonale e Glarusit është në kërkim të dëshmitarëve.