10:54 / E Mërkurë, 04 Shtator 2019 / indeksADMonline

Tri turiste hëngrën e pinë në një lokal, në Malin e Robit, pastaj denoncuan ‘për përdhunim”

Sulejman Alia tregon, se ka një lokal në zonën e Malit të Robit, ku punon bashkë me gruan dhe dy djemtë. Por më 3 gusht ata janë përballur me një situatë të pazakontë. 3 vajza norvegjeze kanë porositur darkë e pije në lokal dhe më pas kanë denoncuar në polici se janë përdhunuar e marrë peng.

Policia ka bastisur lokalin dhe ka shoqëruar personelin. Pas sekuestrimit të pamjeve filmike rezultoi se akuza ishte rreme dhe vajzat norvegjeze kërkuan ndjesë e u lanë të lira.

“Ishim në një ditë normale pune, në orën 21:45 erdhën 3 kliente. Porositën, u shërbyem. Zbuluam që ishin shtetase norvegjeze, pinë verë, mbi 2-3 gota. Njëra nga ato qëndroi mbi një orë dhe u largua. Kurse ajo tjetra ndenji me shoqen e vet, kërkuan të pinë, erdhën tek banaku. Aty na u ulën në tavolinë”,thotë njëri prej djemve të Sulejman Aliut.

“Ambienti është i filmuar me kamera. Nga orari që erdhën ne nuk i njohëm fare, vetëm i përshëndetëm. Çfarë dëshironi të pini? U dhamë menunë dhe çdo gjë vazhdoi kështu. U largua edhe vajza tjetër, kjo tjetra erdhi tek banaku për të pirë alkool. I thashë, “shoqja jote iku, tani më jep lekët që keni pirë dhe mund të ikni.” Jo, më tha, pres shoqen time që të vijë”, thotë tjetri.

“Dhjetë minuta pasi u largua vajza, arrin policia dhe na hyn duke bërë terror dhe na thotë se jeni të akuzuar për pengmarrje dhe përdhunim. Ironia më e madhe është se policia erdhi për të na kapur në flagrancë, por ne ishim duke bërë muhabet. Shiko çfarë më bëjnë mua, më shtrinë përtokë, shikoje atë tjetrin që më gjuajti në fytyrë…”