09:30 / E Mërkurë, 24 Shkurt 2021 / OSH

Tre vjet burgim dhe 1,300 euro gjobë ndaj një personi për grabitje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje

Gjykata Themelore e Pejës ka dënuar me tre vjet burgim dhe ka gjobitur me 1.300 euro të pandehurin B.Q. pasi që më 30 nëntor të vitit 2015 rreth orës 23:45, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të luajtshme nga personi tjetër, pas marrëveshjes paraprake me të pandehurin A.Q. dhe pas lajmërimit nga ky i fundit se po niseshin së bashku me të dëmtuarin B.J. për në drejtim të fshatit, i pandehuri B fillimisht në rrugë vendos pengesa me gurë dhe pasi vëren automjetin e të dëmtuarit, shtin me armë në drejtim të tij, me qëllim që ta frikësonte të dëmtuarin dhe nga ai t’i merrte të hollat e pazarit në shumë prej mbi 5.000 eurosh. Mirëpo, i dëmtuari arrin t’i kalonte pengesat dhe të largohej nga vendi i ngjarjes.

Të pandehurit B.Q. gjykata i shqiptoi dënimin me burgim në kohëzgjatje prej tre vjetësh, dënim në të cilin i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe dënim me gjobë në shumë prej 1.300 eurosh, të cilën obligohet ta paguajë në një afat prej pesëmbëdhjetë ditësh, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Nëse dënimin me gjobë nuk e paguan brenda afatit të caktuar, atij gjoba do t’i shndërrohet në dënim me burgim, duke ia llogaritur një ditë burgu për çdo 20 euro të gjobës.

Të pandehurit i është konfiskuar arma, karikatori dhe fishekët dhe ato është urdhëruar që të shkatërrohen pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Të pandehurit B.Q. pas shpalljes së aktgjykimit iu vazhdua masa e paraburgimit, e cila do të zgjasë deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.