“Trepça” i lëshon me qira disa prona
Shoqëria aksionare “Trepça” ka bërë shpallje publike për dhënien me qira të disa pronave të paluajtshme.
Në një njoftim zyrtar bëhet e ditur se pronat përfshijnë hapësira të ndryshme afariste dhe industriale në disa lokacione, shkruan IndeksOnline.
Lotet përfshijnë: hapësira në Terminalin Doganor (zyra dhe depo), hapësira në Graçanicë, hapësira në Badovc, hapësira në Shupkovc, depo dhe objekte në Parkun Industrial Mitrovicë (PIM), hapësira përgjatë magjistrales së Adriatikut, hapësira në Dragoc dhe Mitrovicë.
Të gjitha këto lotë kanë sipërfaqe dhe çmime të ndryshme.
Sipas Sh.A. “Trepça”, afati për kërkesa dhe sqarime është data 7 maj, teksa afati i fundit për dorëzim të ofertave është po e njëjta ditë, ora 11:00.
Kontrata do të jepet bazuar në çmimin më të lartë të ofruar.
Dokumentacioni i kërkuar përfshin certifikatën e regjistrimit të biznesit, certifikatën e TVSH-së, vërtetim nga ATK-ja, për obligimet tatimore si dhe dëshmi që nuk ka borxhe ndaj Trepçës.
“Çmimi i ofruar nga O.E të interesuar duhet të jetë më i madh apo i barabartë me çmimin e parashikuar nga Autoriteti Kontraktues – Trepça Sh.A.
Lotet mund të ndahen edhe në sipërfaqe apo sasi më të vogla, varësisht nga nevojat dhe kërkesat e tregut. Në rast se ofertuesi paraqet ofertë për një sipërfaqe më të vogël, çmimi do të rritet për 10%” thuhet në njoftim./IndeksOnline/

