13:55 / E Martë, 26 Janar 2021 / OSH

Tri gjoba për LDK-në, por mund të mos mbetet me kaq!

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është gjobitur tri herë me nga 2 000 mijë euro nga Inspektorati i Komunës së Prishtinës për mosrespektim të masave antiCovid gjatë tubimeve paraelektorale. Por gjobave të nuk i kanë shpëtuar as PDK-ja, AAK-ja, VV-ja dhe Nisma.

Adonis Tahiri, drejtori i Inspektoratit komunal, ka thënë se këto parti janë gjobitur për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve dhe mosmbajtjes së maskës e distancës.

“Po deri tashti janë shqiptuar shtatë gjoba, për të njëjtat arsye pothuajse, tri janë për LDK-në dhe nga një PDK, AAK, VV, dhe Nismën, për shkak të shkeljes së Ligjit antiCOVID dhe masave të marra nga Qeveria”.

“Disa prej këtyre subjekteve kanë pasur në tubime numër më të madh të njerëzve sesa që lejohet, disa të tjera nuk kanë pasur distancë dhe disa të tjera i kanë pasur të pranishmit pa maska”.

E shuma e gjobave për subjektet politike është 2 mijë euro, ka thënë Tahiri, duke shtuar se nuk do të falet askush.

“Shuma e gjobave është e bazuar në nenin 25 pikën 1 të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19 dhe është 2 mijë euro”.

Midis tjerash ai ka theksuar se nuk mund të jenë çdo herë në vendin e ngjarjes, pasi në shumicën e rasteve mosrespektimin e masave e shohin në fotot e pasotuara në rrjete sociale nga vetë subjektet politike.

“Jo domosdo duhet të jemi në vendin e ngjarjes mundem edhe përmes fotografive të cilat po i publikojnë vetë pjesëmarrësit nëpër ato tubime të shqiptojmë gjobën dhe kësisoj ne po i përcjellim edhe nëpër medie dhe rrjete sociale për të parë nëse po respektohen masat apo jo, kudo që nuk po mund të arrijnë fizikisht”.

“Ka pasur raste të tilla që na kanë dërguar fotografi, jo drejtpërdrejt nga tubimi, por që i kanë parë të postuara te ndonjë pjesëmarrës në atë tubim dhe na ka ndihmuar ne që të procedojmë më tej”.