Tri vatra aktive zjarri, në Shqipëri

Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri ka njoftuar se gjatë 24-orëve të fundit janë raportuar 18 vatra zjarri, nga të cilat 3 janë ende aktive.
Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Vlorë, Dibër, Maliq, Korçë, Lezhë, Kurbin, Bulqizë, Malësi e Madhe, Prrenjas, Sarandë, Himarë, Poliçan, Kuçovë, Gjirokastër e Durrës.
Aktualisht mbeten aktive vatrat:
Orikum, bashkia Vlorë – Në vendin e quajtur “Sotiran” ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat, në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra në lartësi të malit. Situata është mbajtur në monitorim gjatë natës. Ditën e sotme në zonë po operojnë 8 forca zjarrfikëse, 4 forca bashkiake, 4 forca nga Shërbimi Pyjor, të ndihmuar nga 20 forca ushtarake të FA.
Qarku Dibër – vijon të jetë në monitorim vatra e zjarrit në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe dëllinja në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë. Sipërfaqja e pëshkuar nga zjarri vlerësohet në rreth 18 ha. Ditën e sotme po vazhdon puna nga forcat operacionale, por pritet të vijnë në ndihmë rreth 25 persona në mbështetje të tyre.
Dibër – Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh. Ditën e djeshme për shuarjen e tij janë angazhuar 7 efektivë të MZSH Dibër dhe 5 forca të AdZM. Zjarri është aktiv brenda perimetrit të tij dhe po vazhdon me intensitet të ulët. Diten e sotme po vazhdon puna nga forcat operacionale për shuarjen e plotë të tij.
Në total, nga zjarret e rëna, kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre dhe barishte, janë djegur rreth 36 hektarë bimësi. Ndërsa u dogjën edhe 2500 rrënjë ullinj të moshës mbi 10 vjeçare, në fshatin Zgërbonjë, bashkia Poliçan. Policia e Shtetit ka ndaluar një shtetas, i cili është shoqëruar në komisariat, pasi dyshohet autori i ngjarjes.
Po ashtu janë djegur edhe rreth 30 rrënjë dru frutorë si, ullinj, kumbulla, fiq dhe hardhi pranë spitalit Kuçovë, në lagjen “11 Shkurti”, bashkia Kuçovë . Shkaku i zjarrit është nga këputja e telave elektrik të tënisonit të ulët.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 28 automjete zjarrfikëse dhe 237 forca. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 40 efektivë dhe 1 helikopter Cougar.
Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile , sot priten reshje të dobëta shiu në qarqet: Shkodër, Kukës dhe Elbasan, ndërsa në qarqet Dibër, Durrës, Tiranë, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje lokalisht të dobëta.
Sa i përket zjarreve, pritet nivel i lartë rreziku në qarqet Fier dhe Vlorë, nivel rreziku i moderuar në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Berat, Korçë dhe Gjirokastër dhe nivel i ulët rreziku në qarqet Shkodër, Kukës dhe Dibër.
Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë të jenë plotësisht të angazhuara, në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse, për monitorimin dhe ndërhyrjen në kohë në çdo vatër zjarri, me qëllim minimizimin e dëmeve në mjedis dhe rrezikut për jetën e qytetarëve.