09:25 / E Premte, 02 Dhjetor 2022 / B O

Trofeu më prestigjioz i futbollit prodhohet në Itali

Trofeu ikonik që i jepet në ceremoni fituesit të FIFA Kupës së Botës, organizimi më i lartë në futboll në nivel kombëtaresh, si dhe kopjet e saj, prodhohen në Itali.

Kupa e Botës, e cila organizohet çdo 4 vjet nga FIFA që nga viti 1930, me përjashtim të periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe e cila ka arritur të tërheqë vëmendjen e masave, këtë vit po mbahet për të 22-tën herë nën organizimin e Katarit.

Deri më sot dy dizajne të ndryshme të Kupës u janë dhënë kombëtareve fituese në 21 kampionate. Organizimi i parë i Botërorit të mbajtur në Uruguaj në vitin 1930, filloi me kupën e dizajnuar nga skulptori francez Abel Lafleur dhe përshkruante perëndeshën e lashtë të fitores, Nike. Ky dizajn u përdor për rreth 40 vjet.

Kupa fillimisht njihej me emrin “Fitore” dhe më pas me emrin e ish-kreut të FIFA-s, Jules Rimet, ndërsa në Botërorin e vitit 1970 në Meksikë, ajo shkoi në muzeun e Brazilit pasi përfaqësuesja e kontinentit të Amerikës së Jugut e fitoi për të tretën herë, duke e përmbushur rregullin e atëhershëm “Fituesi i tre kampionateve zotëron përgjithmonë trofeun”.

Pas Botërorit të vitit 1970, FIFA organizoi një garë ndërkombëtare për të përcaktuar dizajnin e ri të kupës, ku morën pjesë 52 dizajne.

Dizajni unik i skulptorit italian Silvio Gazzaniga, drejtori artistik i kompanisë italiane GDE Bertoni, një kompani e cila në portofolin e saj posedon trofe të organizatave të mëdha ndërkombëtare sezonale të njohura si UEFA Liga e Kampionëve, UEFA Liga e Evropës, UEFA Super Kupa dhe medalje të eventeve të ndryshme, e fitoi kontestin për dizajnin e ri të kupës.

Dizajni i Gazzaniga-s i përbërë nga dy engjëj fitoreje me duart lart duke mbajtur globin, vazhdon të jetë çmimi i lartë i këtij organizimi të rëndësishëm që mban miliona njerëz pranë ekranit në të njëjtën kohë.

Ky dizajn unik i Gazzaniga-s prodhohet në një fabrikë në Paderno Dugnano në afërsi të qytetit industrial italian Milano.

Trofeu i Kupës së Botës peshon 6.2 kilogram dhe përbëhet nga 18 karatë

Kompania GDE Bertoni, dyert e fabrikës i hapi për Anadolu Agency (AA). Drejtoresha ekzekutive e kompanisë Valentina Losa, për AA i tregoi veçoritë e kësaj kupe të rëndësishme.

Losa, duke theksuar se gjatësia e Kupës Botërore është 38 centimetra dhe e rëndë 6.2 kilogram ndërsa përbëhet nga ari 18 karatë, tha se ky dizajn u shfaq për herë të parë në vitin 1973 dhe u prezantua në vitin 1974 në turneun e organizuar nga Gjermania.

Duke folur rreth historisë së Kupës së Botës, Losa tha se: “Ky trofe është një vepër e prodhuar së bashku nga drejtor artistik i kohës Silvio Gazzaniga dhe pronarit të kompanisë Bertoni, njëherësh edhe gjyshi im Eugenio Losa”.

“Fillimisht u dizajnua bazuar në dy portierë që ngrenë topin e futbollit lartë. Pas diskutimeve të ndryshme u vendos që portierët të zëvendësohen me dy engjëj të fitores. Ndërsa më pas në vend të topit të futbollit u vendos globi. Kjo ishte Kupa e re e Botës, domethënë dizajni i fundit i dërguar tek FIFA”, tha ajo.

Losa tërhoqi vëmendjen se trofeu është e vetmja vepër origjinale e prezantuar në vitin 1974 që ka mbetur në FIFA. “Trofeu origjinal dërgohet për t’i dhënë kombëtares fituese në ceremoninë në fund të ndeshjes finale, më pas kthehet tek ne që të gdhendim emrin e kombëtares. Më pas kthehet përsëri tek FIFA. Në ndërkohë nëse ka ndonjë dëmtim ose njollë në trofe e riparojmë. Vendi fitues nuk merr trofeun origjinal prej arit, por një kopje aliazh nga ari-tunxhi me emrin e tij të gdhendur”, tha Valentina Losa, drejtoresha ekzekutive e kompanisë prodhues të trofeut.

Ajo theksoi se trofeu tanimë është në Katar dhe gati për t’iu dhënë kombëtares fituese. “Ne tani po prodhojmë kopjen e Kupës së Botës për 2026”, shtoi Losa.

Që nga viti 1974, kur për herë të parë hyri në qarkullim ky dizajn i Gazzaniga-s, e deri më sot kupa është ngritur lart në duart e kapitenëve të rëndësishëm si; Franz Beckenbauer (Gjermania Perëndimore 1974), Daniel Passarella (Argjentina 1978), Dino Zoff (Italia 1982), Diego Armando Maradona (Argjentina 1986), Lothar Matthaus (Gjermania 1990), Carlos Dunga (Brazil 1994), Didier Deschamps (Franca 1998), Cafu (Brazil 2002), Fabio Cannavaro (Italia 2006), Iker Casillas (Spanja 2010), Philipp Lahm (Gjermania 2014) dhe Hugo Lloris (Franca 2018).

Kupa më e rëndësishme e futbollit, do të ngrihet përsëri në duart e një kapiteni si simbol i fitores pas finales që do të luhet në stadiumin “Lusail” më 18 dhjetor në Kupën e Botës FIFA 2022 në organizimin e Katarit.