15:41 / E Shtunë, 18 Maj 2019 / indeksADMonline

Trump: BE e padrejtë ndaj nesh

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka thënë se Bashkimi Evropian është më i padrejtë se Kina për SHBA-të në çështjen e tregtisë.

Shtetet e Bashkuara tash e sa muaj kanë hyrë në një luftë tregtare me Kinën, me deklarata goditëse e tarifa të dyanshme.

Megjithatë presidenti amerikan, Donald Trump, deklaron se Bashkimi Evropian është edhe më i padrejtë se Kina në tregtinë e tyre me Shtetet e Bashkuara, transmeton rtv21.tv.

“Bashkimi Evropian na trajton neve, do të thoja më keq se Kina, vetëm se janë më të vegjël. Ne të gjithë e duam Evropën. Mendoj se ata duhet të kenë kujdes për Evropën të jem i sinqertë, por ne të gjithë e duam Evropën”, ka thënë ai.

Kina ka shfaqur në ton më agresiv gjatë së premtës, duke deklaruar se rikthimi i bisedimeve mes dy fuqive të mëdha ekonomike do të ishte i pakuptimtë, nëse Washington-i nuk ndërron çasje.

Kjo deklaratë e ashpër vjen pas një jave ku Pekini prezantoi tarifat e tyre kundërgoditëse për Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarët amerikanë akuzojnë Kinën se ka shkelur premtimet e bërë gjatë muajve të tërë të bisedimeve.