08:16 / E Mërkurë, 20 Janar 2021 / OSH

Trump falë Steve Bannonin dhe dhjetëra persona tjerë

Presidenti amrikan, Donald Trump, ka falur ish-këshilltarin e tij, Steve Bannon, në kuadër të valës së fundit të faljeve dhe ndryshimeve të dënimeve, pak para se të largohet nga Zyra e presidentit, më 20 janar.

Trumpi ka bërë 143 falje dhe ndryshime dënimesh për një numër të madh individësh, përfshirë një ish-mbledhës të fondeve, republikan, një reper dhe një ish-kryetar qyteti.

“Presidenti Donald Trump ka siguruar falje për 73 individë dhe ndryshime të dënimeve për 70 individë të tjerë”, ka thënë administrata e tij përmes një deklarate.

Fati i Bannonit, një këshilltar me ndikim te Trumpi, i cili i ka ndihmuar të menaxhonte fushatën presidenciale të vitit 2016, është parë me shumë vëmendje.

Ai është përballur me akuza federale për mashtrim të njerëzve, teksa ka mbledhur fonde për ndërtim të murit midis Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Ai ka thënë se nuk është fajtor për akuza që rëndojnë mbi të.

Ndonëse ka pasur spekulime në media, Trumpi nuk ka falur veten, vajzën e tij, Ivanka, dhëndrrin, Jared Kushner, dhe dy djemtë e tij, Donald Juniorin dhe Ericun.

Ai po ashtu nuk ka përfshirë në listë as avokatin e tij personal, Rudy Giuliani, i cili ka mbështetur pretendimet e rreme të Trumpit për mashtrime zgjedhore në zgjedhjet e 3 nëntorit, të fituara nga demokrati, Joe Biden.

Trumpi pritet të largohet nga Uashingtoni, më 20 janar në mëngjes dhe të niset drejt klubit të tij Mar-a-Lago, në Florida.

Bideni nis udhëheqjen në mesditë.