Trump: Të gjithë liderët në NATO më thanë “Zotëri, ne ju duam”
Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë të mërkurën se liderët e vendeve anëtare të NATO-s u kujdesën që të flasin në mënyrë pozitive për Shtetet e Bashkuara gjatë takimeve që ai pati me ta në kuadër të Samitit të NATO-s në Ankara.
Madje, sipas tij, homologët në Aleancën Veriatlantike i shprehën mirënjohje dhe “dashuri” për përpjekjet e tij në rritjen e shpenzimeve për mbrojtje.
“Aty ndihej dashuria për SHBA-në. Atyre u pëlqen puna që po bëj”, tha ai në një konferencë për media, transmeton KosovaPress. “Më thanë: ‘Zotëri, ne ju duam’. Janë njerëz të rritur që e thonë këtë, a nuk është bukur?”.
Trump ka kritikuar dhe ka bërë presion te vendet anëtare të NATO-s për të ndarë më shumë mjete nga buxhetet e tyre për mbrojtje, ndërsa këmbënguli se tani të gjitha janë pajtuar me objektivin e ri prej 5 për qind të Bruto Prodhimit Vendor për shpenzimet e mbrojtjes.
“Disa i janë përgjigjur plotësisht kësaj thirrjeje, ndërsa të tjerët po bëjnë ndryshime të mëdha dhe do t’i përgjigjen gjithashtu,” tha ai. “Standardi do të jetë ai numri 5 për qind; ky është niveli që duhej të ishte arritur prej vitesh.”
Trump shtoi se rritja e shpenzimeve do të jetë në dobi të Shteteve të Bashkuara, pasi një pjesë e madhe e këtyre fondeve do të përdoret për blerjen e armëve dhe pajisjeve ushtarake të prodhuara në SHBA. /

