09:59 / E Martë, 08 Shtator 2020 / indeksADMonline

Trumpi kërkon nga gazetari që ta hiqte maskën, por ai e shpërfill

Gjatë një konference për gazetarë që u mbajt të hënën pasdite, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kërkoi nga korrespondenti i agjencisë së lajmeve Reuters, Jeff Mason, që ta hiqte maskën gjatë kohës që fliste, por gazetari nuk veproi sipas kërkesës së presidentit.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë e ndërpreu gazetarin përderisa ai po e shtronte pyetjen e parë, duke i thënë: “Do të të duhet ta heqësh atë (maskën), të lutem. Ti je…sa larg je?”

Megjithatë, gazetari nuk veproi sipas kërkesës së presidentit amerikan, duke thënë se do të flasë me zë më të lartë, që të dëgjohet më mirë, shkruan CNN-i.

Trumpi nuk ishte i kënaqur me përgjigjen, duke i thënë gazetarit se zëri i tij ishte shumë i mbytur për shkak të maskës. “Nëse do ta hiqje atë, do të ishte shumë më lehtë”, i tha gazetarit presidenti amerikan.

Përsëri, gazetari e ngriti zërin dhe e përsëriti ofertën për të folur me zë më të lartë, duke pyetur: “A është më mirë tashti?”

Më në fund, Trumpi duket se ishte i kënaqur dhe i tha: “Më mirë është. Po, më mirë!”.