14:48 / E Diele, 05 Gusht 2018 / indeksADMonline

Turistët kosovarë për herë të parë po prekin kupon tatimor në Shqipëri

Si rrallë herë në Shqipëri po funksionin ligji në bizneset gjatë bregdetit dhe ata që e shkelin po e pësojnë. Por funksionimi i ligjit ka habitur turistët e Kosovës.

Turistët e Kosovës janë shprehur të habitur për albeu.com se për herë të parë në plazhet e Shqipërisë po marrin kupon tatimor nga dyqanet.

Madje këta të fundit i kanë pyetur pse po u japin kupon ndërsa pronarët me gjysëm zëri kanë thënë se po funksionon ligji dhe e japim nga frika e dënimit.

“Para dy ditësh e mbyllën një dyqan, Prandaj po u jap kupon tatimor, përndryshe kurrë nuk e jepja” është shprehur një shitës në Durrës.

Por albeu.com mëson se disa nga bizneset e marketeve kanë zhvilluar një taktikë që t’i shpëtojnë pjesërisht kuponit tatimor. Frutat dhe perimet po i peshojnë veçmas dhe ua japin faturën të shkruar me dorë në letër. Më pas klienti shkon te arka kryesore dhe faturën të shkruar në letër nuk e regjistrojnë te kuponi tatimor dhe lekët në letër u mbajnë jashtligjshëm.

E megjithatë edhe këtë vit ka abuzime me çmimet nga bizneset kundër turistëve. Prandaj do të ishte mirë që të ngrihej një njësi e veçantë ku turistët mund të bënin ankesat ndaj personave që i mashtrojnë.

Gjithashtu ende ka biznese që po shkelin ligjin por që po dënohen.

Vetëm ditën e kaluar Strukturat e Zbatimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve kanë vijuar kontrollet në subjekte që ushtrojnë aktivitet ekonomik në zonat turistike.

Sikurse njoftojnë Tatimet, referuar të dhënave që disponohen, nga kjo strukturë u morën masat, si më poshtë vijojnë: Për subjektin Eglantina Glacaj, me vendndodhje Vlorë, i paregjistruar në organet tatimore, bllokim deri në regjistrimin si subjekt i TVSH-së; Florie Gllava, me vendndodhje Vlorë, i paregjistruar në organet tatimore, bllokim deri në regjistrimin si subjekt i TVSH-së; Bego Çapaj, me vendndodhje Llogara, penalizim për “moslëshim kuponi hera dytë”, si dhe është marrë masa e bllokimit 30 ditë kalendarike; Haki Balla, me vendndodhje Durrës, i paregjistruar në organet tatimore, bllokim deri në regjistrimin si subjekt i TVSH-së; Xhemile Çala, me vendndodhje Durrës, penalizim për “moslëshim kuponi hera dytë”, si dhe është marrë masa e bllokimit 30 ditë kalendarike; Arben Carka, me vendndodhje Tiranë, penalizim për “moslëshim kuponi hera dytë”, si dhe është marrë masa e bllokimit 30 ditë kalendarike dhe për subjketin Donjet Mika, me vendndodhje Tiranë, i paregjistruar në organet tatimore, bllokim deri në regjistrimin si subjekt i TVSH-së.

Strukturat tatimore në terren do të vijojnë të jenë prezente në çdo biznes, për të këshilluar dhe asistuar, me etikë dhe profesionalizëm, sipërmarrjet të korrigjojnë përgjegjësinë tatimore dhe pajtueshmërinë me ligjin, thuhet në njoftimin e djeshëm të administratës tatimore.

Zbatimi i ligjit nga të gjithë është kusht parësor që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.