Turqia arreston 3 të dyshimtë si pjesëtarë të ISIS-it
Autoritetet turke kanë ndaluar tre persona me dyshimin se i përkasin grupit militant ekstremist, Shteti Islamik (IS) dhe se ata po planifikonin sulme në Turqi.
Arrestimet ndodhën dy ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se lideri i ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi, është vrarë gjatë një operacioni të forcave speciale amerikane në veri-perëndim të Sirisë.
Raportohet se tre të dyshimtët po planifikonin sulme në Stamboll, gjatë festimeve të Ditës Kombëtare të Turqisë.
Të martën, turqit festojnë 96- vjetorin e themelimit të Republikës Laike Turke që pasoi Perandorinë Osmane.
Njësitë e policisë antiterror dhe të inteligjencës turke përcaktuan se të dyshimtët, kishin qenë në kontakt me persona, që do të siguronin mbështetje logjistike për sulmin, njoftoi agjencia Anadolu.
Ende s’është e qartë nëse sulmi i planifikuar ishte i ndërlidhur me vrasjen e udhëheqësit të ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi.