14:27 / E Enjte, 07 Tetor 2021 / C E

U “bombardua” me vërshëllima nga tifozët e Milanit, reagon më në fund Donnarumma

Gigio Donnarumma pati një mbrëmje vërtet të sikletshmë në “San Siro”, të mërkurën. Paraprakisht, banderola të tifozëve kuqezinj I bënin të qartë se nuk është I mirëpritur të kthehet aty ku spikati me Milanin.

Pastaj, para, gjatë dhe pas zhvillimit të gjysmëfinales së Ligës së Kombeve me Spanjën, portieri axurr u vërshëllye rregullisht. Pra, askush nuk ia fal largimin falas nga “Djalli”, duke preferuar milionat e PSG.

Kjo situatë, shto edhe humbjen 2-1, pas 37 ndeshjesh radhazi pa disfatë, e bënë mbrëmjen e djeshme vërtet makthi për Donnarumma. Ky I fundit ka zgjedhur rrjetet sociale për të reaguar pas humbjes kundër Spanjës në Ligën e Kombeve:

“Nuk shkoi ashtu siç donim, por bëmë më të mirën. Fryma dhe angazhimi janë ato që na shoqërojnë gjithmonë, kur përfaqësojmë ngjyrat e vendit tonë. Ta mbajmë kokën lart dhe të shohim drejt objektivave ​​të radhës”.

Sikurse e thamë edhe më lart, dita e djeshme ishte një makth i vërtetë për Donnarumma, i bombarduar nga fishkëllimat e tifozëve të Milanit në pjesën më të madhe të ndeshjes. Lojtari i PSG, megjithatë, nuk e përmend këtë gjë fare në mesazhin e tij “social”, në të cilin poston edhe dy fotografi të ndeshjes.