18:58 / E Mërkurë, 28 Tetor 2020 / Blerim

U.d. drejtori i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti kërkon që policët e ri të dalin menjëherë në teren

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka mbajtur një takim virtual me drejtorë të departamenteve dhe Drejtorive Rajonale Policore (DRP), përfshirë Drejtoritë Rajonale të Policisë Kufitare.

Tema kryesore që u diskutua është situata epidemiologjike në vend e trajtuar në aspektin policor, ka njoftuar policia.

U.d. drejtori i Përgjithshëm i PK-së z. Mehmeti, pas marrjes së pozitës së re, kërkoi angazhime të shtuara të udhëheqësve të DRP-ve në zbatim të ligjit për ‘ Parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19’, pjesa që i përket policisë.

Ai ndër të tjera kërkoi menaxhim më efikas me personelin policor dhe po ashtu potencoi se diplomimi i gjeneratës së re të PK-së në fundjavë do të jetë një ndihmesë e madhe për punën në teren dhe kërkoi që policët e ri, të  angazhohen menjëherë në teren në dy ndërrime.

U.d. drejtori i Përgjithshëm, z. Mehmeti, foli edhe rreth çështjeve logjistike përfshirë furnizimi me vetura të reja, të cilat janë një ndihmesë teknike në kryerjen e detyrave policore. Po ashtu, kërkoi edhe angazhime e aktivitete më të mëdha lidhur me rastet e emigrantëve që vijnë nga vendet e lindjes së afërt.

Më pas, në takim prezantuan me fjalime pjesëmarrësit tjerë, drejtorët e departamenteve dhe ata nga DRP-të dhe nga Drejtoritë Policore Kufitare.

Mos i humb