16:16 / E Martë, 26 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

U hodhën poshtë gati gjysma e kallëzimeve kundër korrupsionit

Këshilli Prokurorial i Kosovës mbylli 2017-tën me kritika për luftën kundër korrupsionit.

Këshilli Prokurorial i Kosovës mbajti sot mbledhjen e fundit për vitin 2017, në të cilën u diskutuan hiq më pak se 13 pika të rendit të ditës.

Pika më e ‘nxehtë’ me diskutime e takimit ishte raportimi i Komisionit Mbikëqyrës për Zbatimin e Planit Strategjik 2016 – 2018 për periudhën janar – shtator 2017.

Raportin para anëtarëve të Këshillit e prezantoi prokuroria Laura Pula.

Sipas raportit, për periudhën nëntëmujore, të gjitha prokuroritë kanë pasur në punë 427 lëndë të bartura të korrupsionit, ndërsa kanë pranuar 381 lëndë të reja të korrupsionit.

“Nga 308 lëndë sa i kanë pasur në punë, prokurorët kanë zgjidhur 321, përderisa u kanë mbetur pazgjidhur 487 lëndë. Nga 552 persona, për këtë periudhë kohore kemi pasur ndaj 247 personave hedhje të kallëzimit penal”, tha gjatë prezantimit të raportit, prokurorja Pula.

Nga raporti u prezantuan edhe të dhëna lidhur me lëndët e krimeve ekonomike të trajtuara nga të gjitha prokuroritë për periudhën nëntëmujore.

Sipas raportit, përveç 461 lëndëve të bartura nga viti paraprak, janë pranuar të reja edhe 374. Ndërsa, nga gjithsej 835 lëndë, vetëm 362 prej tyre janë zgjidhur, ndërsa 473 lëndë kanë mbetur të pazgjidhura.

Më i zëshmi në kritika ndaj raportit ishte prokurori Bahri Hyseni, i cili e vlerësoi shqetësues numrin e hedhjeve të kallëzimeve penale për rastet e korrupsionit.

“Sipas raportit, 45% e lëndëve të proceduara janë hedhje e kallëzimeve penale. Ky numër është shqetësues dhe duhet të dihen arsyet pse janë hedhur këto kallëzime penale”, deklaroi prokurori Hyseni.

Brengosëse sipas Hysenit është edhe përqindja e vogël e lëndëve të proceduara për të cilat janë ngritur aktakuza.

“Më brengosëse është numri i ngritjeve të aktakuzës prej vetëm 24%”, tha Hyseni.

Kritika për numrin e lëndëve të korrupsionit të trajtuara për këtë periudhë të raportimit, pati edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

“S’kemi rezultat të kënaqshëm në luftimin e korrupsionit. Në krahasim me lëndët e tjera, si kemi pasë punët mirë me lëndët e korrupsionit”, tha kryeprokurori Lumezi.

Aleksandër Lumezi i vlerësoi më të vështira për trajtim lëndët e korrupsionit.

“Shumë vështirë është të zbulohen veprat penale të korrupsionit”, deklaroi Lumezi.

Kryeprokurori tha se këshilli duhet të raportojë çdo tre muaj në lidhje me lëndët e korrupsionit.

“Duhet të njoftojmë publikun lidhur më numrin e lëndëve të korrupsionit të trajtuara. Edhe nëse si kemi punët mirë me lëndët e zgjidhura, duhet që të marrim masa të përmirësohemi”, deklaroi Kryeprokurori Lumezi.

Në fund, ai kërkoi që zhvillimi i hetimeve të lëndëve të korrupsionit të mos bëhet publik për opinionin.

Këshilli, në fund të diskutimit, miratoi unanimisht këtë raport dhe kërkoi nga Komisioni Mbikëqyrës që në të ardhmen ky raport të plotësohet me arsyet e hedhjes poshtë të aktakuzave dhe kallëzimeve penale.

Këshilli miratoi unanimisht Planin e Punës së Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2018, Strategjinë për Komunikim të Sistemit Prokurorial, listën e prokurorëve që do të vlerësohen gjatë vitit 2018 si dhe raportin e mbikëqyrësit të zbatimeve të tetë rekomandimeve.

Për tri pikat e fundit të ditës, që kishin të bënin me kandidatët e propozuar për prokuror të shtetit, raportet e Komisionit të vlerësimit të performancës për 12 dhe 23 prokurorë të shtetit dhe diskutimi për një vendim të Komisionit Disiplinor, Këshilli e mbylli takimin për media dhe vazhdoi diskutimin vetëm me anëtarët e Këshillit.

Sipas komunikatës së lëshuar pas mbledhjes, Këshilli ka shqyrtuar dhe aprovuar listën e kandidatëve të propozuar për prokurorë të shtetit.

Temat: