“U kryqëzuan padrejtësisht”, thotë Edona Sina për policët e rikthyer në detyrë
Gjashtë zyrtarë policorë, të cilët ishin nën masën e suspendimit, janë rikthyer sot zyrtarisht në detyrat e tyre. Bëhet fjalë për policët: Albert Kosturi, Gent Nura, Trimor Kepuska, Edion Bajraktari, Artan Maksuti, Argjend Hasani.
Avokatja Edona Sina ka dhënë detaje rreth këtij suspendimit në Gjakovë.
Ashtu siç kam theksuar edhe më herët suspendimi i 6 zyrtarëve policorë ka qenë i ngutshëm dhe më shumë i motivuar për efekt mediatik sesa për një nevojë reale procedurale.
Në rastin konkret për 6 zyrtarët policorë suspendimi ka qenë i panevojshëm. Hetimi ndaj tyre ka mundur të zhvillohej pa asnjë pengesë, pa publikim të emrave dhe pa ekspozim të panevojshëm publik. Audio e publikuar ishte e prerë, provat nuk ishin të plota. Rasti ndaj tyre ishte i montuar e tendencioz. Ky rast ishte i orkestruar, me instruksione të qarta se si të nxitet situata. Duke mos u mjaftuar me kaq, me javë të tëra nuk u intervistuan, të pakten të dëgjohej edhe versioni i tyre i ngjarjes. Prandaj, nuk duhet të gjykojmë apriori mbi bazën e asaj që publikohet dhe përflitet në rrjete sociale.
Është shqetësuese që 6 të rinj punëtorë u etiketuan e u ofenduan publikisht në të gjitha rrjetet sociale. Paradoksalisht, u komentuan nga të njëjtët persona që ankohen për mungesë të rendit dhe ligjit, por njëkohësisht sulmojnë dhe linçojnë policët kur ata zbatojnë ligjin pa dallime. 6 zyrtarët policorë në Gjakovë, u suspenduan dhe u kryqëzuan sepse nuk i falin “të njohurit”. Sinqerisht, turp i madh.

