16:20 / E Martë, 04 Shkurt 2020 / indeksADMonline

U mbajt Akademi Përkujtimore për të pagjeturit e Klinës

Në sallën e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, nën organizimin e Shoqatës për Persona të Zhdukur në Klinë, sot është mbajtur Akademi Përkujtimore për të Pagjeturit në Komunën e Klinës nga Lufta e UÇK-së, ku kanë marrë pjesë Kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, Jahja Lluka, këshilltar i ish Kryeministrit Haradinaj, Prekë Gjetaj nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur, përfaqësues të institucioneve lokale të Komunës së Klinës, përfaqësues të Organizatave të Dala nga Lufta e UÇK-së, familjarë të të rënëve për lirinë e vendit dhe qytetarë të shumtë.

Kryetari Elezaj në fjalën e tij theksoi se të pagjeturit e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë pjesa më e dhimbshme e historisë tonë kombëtare.

“Jemi mbledhur sot në këtë ditë përkujtimore për t’i kujtuar, për të ngrehur zërin e po ashtu edhe për të ndarë dhimbjen për ata që sot nuk janë në mesin tone.
Të pagjeturit e Luftës janë pjesë e dhimbjes dhe kujtesës tonë kombëtare e shpirtërore dhe dëshmi se Serbia jo vetëm që vrau shqiptarë, por u përpoq që t’i humb gjurmët e mizorive që ka shkaktuar gjatë luftës.

Dëshiroj t’ju shpreh përkushtimin tonë maksimal, si institucione lokale, se me mundësitë që kemi do të angazhohemi që e vërteta mbi gjenocidin serb të ushtruar ndaj popullatës sonë të zbardhet plotësisht dhe se nuk do të ndalemi deri në zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie, më në fund, ne dhe familjarët e të pagjeturve, të mësojmë për fatin e tyre.
Nga kjo sallë ju bëj thirrje të gjitha institucioneve relevante vendëse dhe ndërkombëtare, që të ushtrojnë presion mbi Serbinë që fati i të cilëve sot na mungojnë të ndriçohet një herë dhe përgjithmonë, në mënyrë që kjo plagë të mbyllet dhe ata që kanë shkaktuar këtë dhimbje popullit shqiptar, të marrin përgjigjen e merituar.
Lavdi e përhershme për dëshmorët, martirët e kombi dhe gjithë të rënët për lirinë e Kosovës!”, tha Kryetari Elezaj në fjalën e tij.

Në këtë Akademi Përkujtimore folën edhe këshilltari i ish Kryeministrit Haradinaj, Jahja Lluka dhe Prekë Gjetaj nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur, të cilët theksuan se ka informacione për vendndodhjet e personave të pagjetur, por që duhet bashkëpunim më i madh nga autoritetet serbe për zbardhjen e fatit të këtyre personave.
Ndërsa në emër të familjarëve foli Ramë Manaj, i cili falënderoi Shoqatën për Persona të Zhdukur në Klinë për organizimin e kësaj Akademie dhe institucionet për përpjekjet e tyre në zbardhjen e fatit të të pagjeturve të luftës së UÇK-së.

Në fund Organizata për Persona të Zhdukur në Klinë, në shenjë nderimi ka ndarë mirënjohje për familjet e personave të zhdukur.