10:23 / E Premte, 15 Nëntor 2019 / indeksADMonline

U përleshën në stërvitje, Sterlingu tashti i del në mbrojtje Gomezit

Raheem Sterlingu është shprehur i zhgënjyer me tifozët anglezë, të cilët e fishkëllyen Joe Gomezin në momentin e hyrjes në lojë në ndeshjen ndaj Malit të Zi.

Të enjten mbrëma, “Tre luanët” fituan me rezultat 7:0 në Wembley, në sfidën e vlefshme për Grupin A, duke siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian 2020.

Në këtë takim mungoi Sterlingu, i cili nuk u ftua nga përzgjedhësi Gareth Southgate, pasi që kishte pasur një zënkë pikërisht me Gomezin gjatë stërvitjeve në St George’s Park, që kishte pasuar kacafytje në derbin ndërmjet Liverpoolit dhe Manchester Cityt.

Megjithatë, anësori anglez, i cili e ka marrë gjithë përgjegjësinë për incidentin, i ka kritikuar tifozët për atë veprim.

“Për të gjithë tifozët anglezë, desha t’i lija gjërat ashtu siç ishin, por më duhet të flas sërish. Ishte vështirë për mua që ta shihja një bashkëlojtar duke u fishkëllyer për diçka që ishte për fajin tim”.

“Joe nuk ka bërë asgjë të keqe dhe për mua, të shihja dikë që e mban kokën ulur dhe punon shumë, sidomos pas një jave të vështirë për të, ishte gabim që të fishkëllehej në çastin e hyrjes”, ka shkruar ndër të tjera Sterlingu në një postim në Twitter.